11/13/2024 | Press release | Distributed by Public on 11/13/2024 08:36
Në kuadër të aktiviteteve edukative dhe shëndetësore, studentët e vitit të IV të Fakultetit të Mjekësisë së Përgjithshme zhvilluan në Akademinë e Forcave të Armatosura një takim prezantues mbi rëndësinë e dhurimit të gjakut. Ky aktivitet u realizua në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut dhe kishte për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për këtë akt të thjeshtë, por jetik për shpëtimin e jetëve.
Gjatë prezantimit, studentët e Fakultetit të Sigurisë dhe Mbrojtjes shprehën interes dhe u informuan mbi avantazhet e dhurimit të gjakut, si për individët, ashtu edhe për shoqërinë në përgjithësi, veçanërisht për ata që kanë nevojë urgjente për transfuzion.
Personeli mjekësor i Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut vlerësoi angazhimin dhe gadishmërinë e Forcave të Armatosura për këtë akt solidariteti human, i cili është një kontribut i thjeshtë, por me vlera të jashtëzakonshme.
Ky aktivitet ka për qëllim të inkurajojë më tej dhurimin e gjakut dhe të forcojë lidhjet mes institucioneve dhe qytetarëve.