Delegation of the European Union to Albania

06/20/2024 | Press release | Distributed by Public on 06/20/2024 05:37

Fjalimi i Ambasadorit të Bashkimit Evropian, Silvio Gonzato, gjatë takimit konsultativ me donatorët në Sektorin e Punëve të Brendshme

PRINTO

Fjalimi i Ambasadorit të Bashkimit Evropian, Silvio Gonzato, gjatë takimit konsultativ me donatorët në Sektorin e Punëve të Brendshme

I nderuar Ministër, të nderuar kolegë dhe partnerë:,

Kam kënaqësinë t'ju mirëpres të gjithëve në këtë konferencë për të diskutuar prioritetet e Shqipërisë në fusha vendimtare për rrugën e vendit drejt anëtarësimit në BE. Këto përfshijnë luftën kundër krimit të organizuar, rendin dhe sigurinë publike, si dhe menaxhimin e integruar të kufijve dhe menaxhimin e migracionit.

Prania e Ambasadës së SHBA-së, si dhe e partnerëve të tjerë të BE-së dhe ata ndërkombëtarë, tregon përkushtimin tonë të përbashkët kur bëhet fjalë për mbështetjen e Shqipërisë në reformat e shtetit ligjor.

Reformat e shtetit ligjor duhet të përmirësojnë standardet dhe praktikat, duke krijuar një shtet më efikasqë garanton siguri për të gjithë qytetarët,si dhe garanton mbrojtje dhe respekt për të drejtat e njeriut. Një vend më i sigurt, tërheq gjithashtu investitorë dhe nxit zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.

Megjithatë, duhet të flasim edhe për sfidat me të cilat po përballet Shqipëria kur vjen puna për të luftuar infiltrimin e grupeve kriminale. Vlerësimi Kombëtar i Riskut për Pastrimin e Parave dhe Financimin e Terrorizmit për Shqipërinë për vitin 2023identifikoi bankat dhe institucionet e përfshira në transaksione të pasurive të paluajtshme si subjektet financiare më të rrezikuara. Veçanërisht të ekspozuara janë transaksionet me para dhe transfertat brenda dhe jashtë vendit.

Lufta kundër krimit dhe korrupsionit kërkon një përgjigje të koordinuar nga shumë aktorë, përfshirë sektorin privat dhe shoqërinë civile. Përgëzoj vendimin e marrë në dhjetor 2023 nga Komisioni i Koordinimit të Luftës kundër Pastrimit të Parave për krijimin e një grupi pune ndërinstitucional. Ky grup pune gjithëpërfshirës ka mandat për hartimin e Strategjisë Kombëtare për Luftën kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit 2024-2030,si dhe për të ndjekur rekomandimin e Vlerësimit Kombëtar të Riskut 2023.

Qasja e integruar ka çuar në rezultate shtesë, përkatësisht projektligji për Zyrën e Rikuperimit të Pasurive, i cili aktualisht është duke u konsultuar me shërbimet e BE-së. Krijimi i një Zyre për Rikuperimin e Pasurive që funksionon mirë, gjë që duhet të ndodhë së shpejti, është një hap i rëndësishëm në luftën tonë të përbashkët kundër krimit të organizuar, si dhe një pikë kyçe referimi në Agjendën e Reformës që do të vendoset së shpejti mes Shqipërisë dhe BE-së.

Projektligji për Policinë e Shtetit Shqiptarështë një tjetër hap i rëndësishëm. Ai synon të përmirësojë profesionalizimin dhe avancimin në karrierë bazuar në merita brenda policisë së shtetit, duke mbështetur në këtë mënyrë integritetin e policisë dhe duke rritur besimin e qytetarëve te shteti.

Në luftën kundër drogave të paligjshme, presim me padurim krijimin e një sistemi funksional të paralajmërimit të hershëmdhe një Observator Kombëtar të Drogavepër të përmirësuar shkëmbimin e të dhënave me Agjencinë e BE-së për Drogën. Bashkëpunimi i ngushtë mes ministrisë së Brendshme dhe asaj të Shëndetësisë do të jetë shumë i rëndësishëm në këtë përpjekje.

Kur bëhet fjalë për menaxhimin e migracionit, zbatimi efektiv i strategjisë së migracionittë miratuar së fundmi, përfshirë strategjinë e menaxhimit të integruar të kufijve, është vendimtar për sigurinë e Shqipërisë, rajonit dhe BE-së. Menaxhimi efektiv i migracionit mund t'i shndërrojë sfidat e migracionit në mundësi për shoqëritë tona dhe të sigurojë mbrojtje të drejtë dhe njerëzore për njerëzit në nevojë.

Reformat e shtetit ligjor të lidhura me procesin e integrimit në BE janë komplekse dhe sfiduese. Përtej përshtatjes me standardet dhe ligjet e BE-së, zbatimi konkret është thelbësor. Kjo është arsyeja pse Bashkimi Evropian po e mbështet Shqipërinë me fonde dhe ekspertizë të nivelit të lartë nga shtetet tona anëtare.

Ndërsa ecim përpara, është e rëndësishme të përmirësojmë komunikimin mbi progresin e bërëpër zbatimin e strategjive përkatëse dhe përdorimin e burimevetë disponueshme për Shqipërinë.

Do të doja të bëja thirrje për një koordinim të përmirësuar dhe të qëndrueshëm të asistencës së donatorëve përmes raportimit të rregullt dhe gjithëpërfshirës mbi zbatimin e të gjitha strategjive përkatëse ndërsektoriale, si ajo për luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit. Kjo do të përmirësonte transparencën dhe përgjegjshmërinë e burimeve financiaretë vëna në dispozicion nga Shqipëria dhe komuniteti ndërkombëtar, duke rritur efikasitetin e kostos dhe planifikimin e asistencës së donatorëvepër ministrinë e Brendshme dhe gjithë aktorët përkatës.

Shqipëria është angazhuar tashmë për përmirësimin e koordinimit të donatorëve në udhërrëfyesin për Shtetin Ligjor dhe Agjendën e Reformës dhe unë pres me padurim përpjekje të përbashkëta të rinovuara dhe hapa konkretë në këtë drejtim. BE-ja do të jetë e gatshme t'ju mbështesë në këtë rrugë, duke e afruar Shqipërinë dhe qytetarët e saj me BE-në.