Ministry for Foreign Afairs and Europe - Republic of Albania

09/11/2024 | News release | Distributed by Public on 09/11/2024 10:15

Samiti i grave afgane në Tiranë, ministri Hasani: Shqipëria, pjesë e përpjekjeve ndërkombëtare për paqe dhe stabilitet

Tiranë, 11 shtator 2024 - Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, në fjalën hapëse në Samitin e Grave Afgane, takimi më i madh i tre viteve të fundit të grave dhe vajzave aktiviste të të drejtave të njeriut nga Afganistani, vlerësoi qëndrimin dhe guximin e grave afgane kundër masave diskriminuese të vendosura nga regjimi taleban, teksa ritheksoi se Shqipëria vijon të jetë pjesë e përpjekjeve aktive ndërkombëtare për të sjellë paqe dhe stabilitet në Afganistan.

"Vendi ynë ka qenë vokal në vlerësimin e guximit, qëndrueshmërisë dhe forcës së grave afgane. Komuniteti ndërkombëtar duhet t'u ofrojë atyre burimet, ekspertizën dhe solidaritetin që u nevojiten për të rindërtuar jetën e tyre dhe për të krijuar një shoqëri ku barazia gjinore nuk është thjesht një ëndërr e largët, por një realitet i prekshëm", tha ai.

Sipas kryediplomatit shqiptar, strehimi i afganëve tre vjet më parë, dëshmoi qartë vendosmërinë e qeverisë shqiptare, që secili prej tyre të ketë dinjitet njerëzor dhe siguri të plotë.

"Ne nuk hapëm dyert e shtëpive tona, ne hapëm zemrat tona për një popull fisnik e të shumëvuajtur. Garantimi i të drejtave të grave e vajzave dhe avancimi i agjendës "Gruaja, Paqja dhe Siguria" mbeten prioritetet kryesore për qeverinë shqiptare. Paqja afatgjatë nuk mund të arrihet pa përfshirjen dhe angazhimin kuptimplotë të grave", u shpreh MEPJ Igli Hasani.

E pranishme në event, e Dërguara Speciale e Shteteve të Bashkuara për Gratë, Vajzat Afgane dhe Zyrën për të Drejtat e Njeriut për Çështjet Globale të Grave, Rina Amiri, vlerësoi rolin e Shqipërisë në luftën për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

"Shqiptarët janë njerëz të cilët kanë humbur shtëpitë e tyre, që janë përpjekur dhe kanë luftuar dhe që janë ngritur çdo herë dhe unë nuk mund të mendoj për një partner tjetër më të mirë se Shqipëria tani. Ajo çfarë kam dëgjuar unë nga gratë afgane, veçanërisht tre vitet e fundit, është vlerësimi që kanë pasur për mbështetjen nga Shqipëria. Është shumë e rëndësishme që ky aktivitet organizohet këtu sot në Shqipëri", u shpreh ajo.

Samiti i Grave Afgane mbahet nën kujdesin e qeverisë shqiptare përmes Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe organizohet nga "Gratë për Afganistanin" (ËFA), në bashkëpunim me qeveritë e Spanjës dhe të Zvicrës.

Rreth 120 gra afgane, duke përfshirë rrjetet e grave afgane në vende të ndryshme, marrin pjesë në samitin tre ditor (11-13 shtator 2024) në Tiranë, i cili shërben si një platformë për të ndërtuar unitet dhe një mesazh koheziv dhe për të përforcuar zërat e tyre.