Ministry for Foreign Afairs and Europe - Republic of Albania

09/11/2024 | News release | Distributed by Public on 09/11/2024 10:15

Ministri Hasani takon Rina Amiri

Tiranë, 11 shtator 2024 - Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, zhvilloi një takim me të Dërguarën Speciale të Shteteve të Bashkuara për Gratë, Vajzat Afgane dhe Zyrën për të Drejtat e Njeriut për Çështjet Globale të Grave, Rina Amiri.

Ministri Hasani vlerësoi punën e zyrtares së lartë për fuqizimin e rolit të grave në shoqëri, teksa theksoi se vizita e saj në Shqipëri tregon fuqinë e marrëdhënies shqiptaro-amerikane dhe Partneritetit Strategjik mes dy vendeve.

Sipas kryediplomatit shqiptar, mbështetja znj. Amiri për gratë dhe vajzat e shtypura në Afganistan ka ndikuar në jetën e tyre, duke inkurajuar qëndrueshmërinë, ndjenjën e rezistencës dhe heroizmit të tyre përballë situatës së vështirë ku ato ndodhen.

MEPJ Igli Hasani e garantoi zyrtaren e lartë amerikane, se barazia gjinore dhe fuqizimi i grave dhe vajzave shqiptare mbeten objektiv kryesor i qeverisë shqiptare.

Kujtojmë se si pjesë e Rrjetit Global të Partnerëve për Politikën e Jashtme Feministe, vitin e kaluar, Shqipëria iu bashkua vendeve partnere në deklaratën e përbashkët, nëpërmjet së cilës kërkohej nga komuniteti ndërkombëtar të vazhdohej fokusi tek të drejtat e njeriut të grave dhe vajzave në Afganistan, duke bërë thirrje për përgjegjësi për persekutimin sistematik gjinor nga autoritetet e Afganistanit.