Ministry of Defence - Republic of Albania

09/26/2024 | Press release | Distributed by Public on 09/26/2024 11:04

Përfundon stërvitja e përbashkët e trupave të FA dhe FSK, “Dimali-24”

Përfundon stërvitja e përbashkët e trupave të FA dhe FSK, "Dimali-24"


e enjte, 26 shtator 2024 18:59

Fotogaleria

395 trupa nga Regjimenti i Këmbësorisë së Jugut me 58 mjete dhe një togë nga Forca e Sigurisë së Kosovës zhvilluan në datat 23-26 shtator, stërvitjen e koduar "Dimali - 24".

Në stërvitjen, që u mbajt në rajonin Arshi Lengo, Gjirokastër, u testuan kapacitetet operacionale të Forcave të Armatosura të Shqipërisë për zhvendosjen dhe kryerjen e operacioneve luftarake mbrojtëse si dhe ndërveprimi me forcat e tjera.

Kjo stërvitje, ashtu si edhe stërvitjet e mëparshme shërben edhe për t'iu përgjigjur në kohë nevojave të brendshme, duke siguruar kontribute ushtarake modeste, por dinjitoze për misionet dhe operacionet e drejtuara nga NATO, Bashkimi Evropian, apo OKB.

Në ceremoninë e mbylljes së kësaj stërvitjeje mori pjesë shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneralmajor Arben Kingji, komandanti i Forcës Tokësore gjeneralmajor Ilir Xhebexhija, delegacioni i FSK i kryesuar nga shefi i Shtabit të FT të FSK kolonel Valdet Berisha, drejtori i SHPFA gjeneral brigade Aleksandër Pando si dhe përfaqësues nga SHPFA dhe komandantët e reparteve vartëse të Forcës Tokësore.