BQK - Central Bank of the Republic of Kosovo

09/20/2024 | Press release | Distributed by Public on 09/20/2024 06:51

Guvernatori Ismaili takohet me përfaqësues të B...

20/09/2024

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, i shoqëruar nga ekipi i tij, ka zhvilluar një takim konstruktiv me delegacionin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), të përbërë nga Marinela Kalemi, Drejtoreshë e asociuar dhe Udhëheqëse e institucioneve financiare për Kosovën dhe Shqipërinë; Sergiy Maslichenko, Drejtor i asociuar dhe Shef i BERZH-it në Kosovës; Peter Bielik, Drejtor i asociuar për institucionet financiare në Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Lindore; dhe Daors Sahatçiu, Analist Bankar në BERZH në Kosovë.

Diskutimet u fokusuan në perspektivën aktuale makroekonomike të Republikës së Kosovës, zhvillimet e fundit në sektorin financiar, bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet BERZH-it dhe BQK-së dhe programet e reja të BERZH-it, me theks në iniciativat e ESG-së dhe mbështetjen për sektorin financiar.

Guvernatori Ismaili shprehu vlerësimin e tij për ekipin e BERZH-it për mbështetjen e tyre të vazhdueshme duke potencuar iniciativat e rëndësishme, përfshirë studimin "MREL për regjionin, që përshinë Kosovën si dhe projektin e ardhshëm "Women in Finance Code". Ai theksoi rëndësinë e programit për ngritjen e kapaciteteve që do të fillojë vitin e ardhshëm, e që të ndihmojë BQK-në në zhvillimin e aftësive në menaxhimin dhe qeverisjen e rrezikut klimatik. Ky program do të fokusohet gjithashtu në ndërtimin e njohurive dhe shkathtësive në kontekstin e udhëzimeve të ofruara nga Rrjeti për Gjelbërimin e Sistemit Financiar (NGFS) për krijimin e planeve të tranzicionit që kanë për synim nxitjen e një sistemi financiar më të gjelbër.

Guvernatori Ismaili po ashtu ishte mirënjohës në rolin që ka BERZH-i në avancimin e legjislacionit bankar të Kosovës, veçanërisht në fushat e tilla si korniza e rimëkëmbjes dhe përmbylljes, qeverisja korporative dhe rregullimi i faktoringut, ndër të tjera.

Tutje, Guvernatori Ismaili theksoi rëndësinë e këtyre partneriteteve në ruajtjen e stabilitetit ekonomik dhe rritjen e qëndrueshmërisë së sistemit financiar të Kosovës për të mirën e të gjithë qytetarëve. Ai gjithashtu diskutoi për vizionin strategjik të BQK-së të përshkruar në planin e saj pesëvjeçar, i cili përfshin iniciativat që kanë për synim përmirësimin e qëndrueshmërisë së sektorit financiar, avancimin e rregulloreve dhe promovimin e gjithëpërfshirjes financiare.

Takimi rikonfirmoi përkushtimin e të dyja palëve për të forcuar bashkëpunimin e tyre dhe për të promovuar rritjen e qëndrueshme financiare në vendin tonë, duke siguruar që sektori financiar të vazhdojë të zhvillohet në përputhje me standardet ndërkombëtare.