Bank of Albania

06/12/2024 | Press release | Distributed by Public on 06/12/2024 03:35

Fjala e Guvernatorit Sejko në eventin TEA 2.0

I nderuar Zoti Kryeministër,

E nderuar zonja Ministre e Turizmit dhe Mjedisit,

Të nderuar përfaqësues të biznesit dhe të sektorit bankar,

Kam kënaqësinë t'ju uroj mirë se ardhjen në ambientet e reja të Bankës së Shqipërisë, dikur të njohura si Hotel Dajti.

Ky monument kulture, i cili i eshte kthyer tashme thesarit te trashegimise tone kulturore u rikonstruktua me një vizion të qartë, atë të ruajtjes së vlerave dhe stilit arkitekturor të kohës. Ri-jetësimi i saj ishte një projekt sa impenjativ aq dhe shpërblyes.

Tashmë si një ndërtesë shumë-funksionale, kjo godinë nuk do të shërbejë thjesht si një shtëpi për Bankën e Shqipërisë, por ajo do të jetë në dispozicion te institucioneve dhe publikut, si dhe një vendtakim për aktivitete informuese dhe edukuese, falë ambienteve të dedikuara.

Këtë transformim, më mirë sesa fjalët, do të na e përcjellë nje film i shkurtër të cilin ju ftoj ta ndjekim në vijim.

***

Më vjen mirë që sot po hapim dyert për të mirëpritur një aktivitet, i cili i kushtohet nje motori te fuqishem te vendit tone, turizmit, dhe prej te cilit, të gjithë ne po shohim nje ndikim gjithmone e me te madh ne ekonomi.

Progresi i bërë në fushën e turizmit eshte i dukshem. Gjatë vitit 2023, numri i turistëve u rrit në 10.1 milionë ndërsa të ardhurat e siguruara prej tyre arritën në 4.2 miliardë euro. Në fakt, referuar të dhënave të Kombeve të Bashkuara, Shqipëria ishte vendi i katërt në botë për ritmin e rritjes së turizmit gjatë vitit 2023. Ky ritëm rritjeje ka vijuar edhe gjatë muajve të parë të vitit 2024. Tashmë, të ardhurat nga turizmi janë rreth nivelit 20% të PBB-së, duke e shndërruar Shqipërinë në një nga destinacionet më të preferuara të turizmit në rajon, si Kroacia dhe Greqia.

Zhvillimi i vrullshëm i këtij sektori ka sjellë një përmirësim cilësor të bilancit të shkëmbimeve tregtare me jashtë, duke u pasqyruar në përmirësimin e renditjes së rrezikut të borxhit sovran nga agjencitë e huaja gjatë vitit 2023, nga niveli B+ në nivelin BB- sipas Standard & Poor's.

Nga ana tjeter, rritja e vizitorëve të huaj ka sjellë dhe përmirësimin e imazhit të vendit në sytë e investitorëve të huaj. Shqipëria po përjeton një interes në rritje për investime në sektorin e banesave rezidenciale gjatë viteve të fundit, dhe kryesisht në zonat bregdetare. Vetëm për vitin 2023, ky investim arriti në nivelin e 350 milionë eurove.

Te gjitha keto, kane kontribuar direkt në rritjen me 3.44% të ekonomisë shqiptare gjatë vitit 2023, në rënien e papunësisë në nivelet minimale historike prej 10.7%, si dhe në rritjen me 14% të pagave për sektorin privat. Paralelisht me të, gjatë vitit të shkuar Shqipëria shënoi dhe një rekord historik të investimeve të huaja direkte, në nivelin 1.5 miliardë euro, dhe një rritje me 11.3% të remitancave, duke arritur në nivelin 930 milionë euro.

Nderkohe ne si Banke Qendrore jemi kujdesur ne vazhdimesi qe te ndjekim politika te kalibruara ne ruajtje te stabilitetit te cmimeve dhe atij financiar, deshmi e te cilave eshte niveli i sotem i inflacionit i cili ka zbritur ne 2.2% në muajin maj 2024.

Së fundi, më duhet të theksoj se edhe sektori bankar ka dhënë kontributin e vet në këtë drejtim, nëpërmjet rritjes së vëmendjes dhe të financimit për sektorin e turizmit si dhe nëpërmjet digjitalizimit të vazhdueshëm të proceseve dhe produkteve të tij.

Reformat shumë-dimensionale të cilat kemi ndërmarrë gjatë viteve të fundit me mbeshtetjen e qeverise shqiptare, e vecanerisht ato për adresimin e kredive me probleme dhe për modernizimin e digjitalizimin e sistemit të pagesave, po japin frytet e tyre. Niveli i kredive me probleme, nga rreth 25% 10 vite me pare, luhatet sot rreth nivelit 4.7%, duke regjistruar edhe nivelet e minimale historike.

Reformat e perbashketa kane dhënë një kontribut të rëndësishëm edhe në rritjen e formalizimit të ekonomisë. Sot Shqipëria ka dale nga lista 'gri" e Komitetit të Moneyval, duke ilustruar jo vetëm progresin që kemi bërë në fushën e parandalimit të pastrimit të parave por edhe rritjen e besimit të partnerëve të huaj.

Pa dyshim, turizmi do të vijojë të jetë një pjesë integrale e rrugës së vendit drejt progresit. Në këto rrethana, zhvillimi i mjeteve të reja për të përmirësuar ofrimin e shërbimeve turistike nga njëra anë dhe për të promovuar bizneset lokale, nga ana tjetër, është një domosdoshmëri. Këto qëllime i përmbush më së miri aplikacioni TEA. E thjeshtë në përdorim dhe e pasur në informacion, ajo ndihmon turistët e vizitoret të kenë një eksperiencë sa më të plotë e të larmishme, ndërsa rrit vizibilitetin e bizneseve shqiptare.

Duke ju inkurajuar jo vetëm ta përdorni, por edhe ta promovoni këtë aplikacion

Faleminderit!