Ministry of Defence - Republic of Albania

10/08/2024 | Press release | Distributed by Public on 10/08/2024 06:07

Emergjencat Civile, ministri Vengu, thirrje kryebashkiakve: Shfrytëzoni fondin e pakushtëzuar, aplikoni me projekte

Emergjencat Civile, ministri Vengu, thirrje kryebashkiakve: Shfrytëzoni fondin e pakushtëzuar, aplikoni me projekte


e martë, 08 tetor 2024 13:32

Fotogaleria

Ministri i Mbrojtjes, z. Pirro Vengu mori pjesë në takimin e thirrrur nga kryeministri Edi Rama me kryetarë të bashkive të vendit dhe ministrat Albana Koçiu e Arbjan Mazniku, për bashkëpunimin në interes të komunitetit për të diskutuar për platformat e dialogut, emergjencat civile dhe ndihmat sociale.

Ministri i Mbrojtjes bëri një raport të situatës së zjarreve për periudhën qershor-shtator, duke thënë se janë shuar më shumë se njëmijë zjarre. Ministri Vengu u shpreh se, fatmirësisht ky sezon ka qenë pa fatalitete, por, theksoi ai, dëmet mbeten të konsiderueshme tek komunitetet rurale.Gjatë fjalës së tij, ministri i Mbrojtjes foli për tri instrumente që janë në dispozicion të drejtuesve vendorë për t'i ardhur në ndihmë komunitetit.

"Fondi i kushtëzuar për mbrojtjen civile sivjet ka qenë prej 800 milionë lekësh, afërsisht 8 milion euro, i shpërndarë në të gjitha njësitë vendore. Kemi kryer një monitorim të mënyrës sesi ky fond i kushtëzuar është shpenzuar." - tha ministri Vengu. Ai nënvizoi se: "Ka bashki të vogla që e kanë shpenzuar shumë mirë dhe ka paradoksalisht bashki të mëdha, me resurse financiare të mjaftueshme, që nuk e kanë shpenzuar ende, ndaj do të ftoja të gjithë kryetarët e bashkive që të vijonit, teksa jemi në fund të sezonit të zjarreve, por edhe në fillim të sezonit të përmbytjeve, ku në terren janë të gjithë ekipet tuaja që bëjnë evidencat e dëmeve, të shfrytëzoni këtë moment sepse i gjithë financimi i fondit të kushtëzuar ju jep mundësinë që të vini në ndihmë të qytetarëve për dëmshpërblime."

Ministri i Mbrojtjes iu tha kryebashkiakëve se kanë 60% të këtij fondi në dispozicion për të realizuar dëmshpërblimet dhe është një instrument shumë domethënës që qeveria e ka vendosur në dispozicion.

Sipas tij, instrumenti i dytë ka të bëjë me projektet parandaluese në infrastrukturë, për menaxhimin e fatkeqësive natyrore. "Vitin e kaluar ishte një fond prej 1 miliard e 570 milion lek të reja. Në fakt disbursimi ka ndodhur në dy këste, një pjesë në 2023-in, një pjesë në 2024-ën. Kemi vënë re që i gjithë fondi i alokuar në fakt është kontraktuar nga shumica e bashkive, por mbeten ende 14 projekte me kontrata të palidhura dhe, do të ftoja kryetarët e bashkive, që të vijonin sa më shpejt me finalizimin e tyre në mënyrë që këto fonde të mos digjen, por të vendosen në eficiencë të plotë", - tha z. Vengu.

Ndërsa elementi i tretë, sipas ministrit të Mbrojtjes, ka të bëjë me projektin e digave: "Edhe këtu kemi 14 projekte fituese. 8 projekte në fazë lidhje kontrate dhe 6 projekte në përfundim procesi prokurimi. Edhe këtu do të doja një vëmendje të shtuar, sepse fondi i përbashkët digat dhe projektet infrastrukturore këtë vit ka qenë i konsiderueshëm, afërsisht 1 miliard e 800 milion lek të reja dhe ne do vijojmë sigurisht që të alokojmë një fond identik edhe për vitin 2025" , - u shpreh ministri Vengu.

Nga ky takim, ministri i Mbrojtjes njoftoi drejtuesit vendorë se: "Këtë muaj do të bëhet një thirrje për projekte të reja, projekte që mund t'i keni ekzistuese. Unë kam nxitur në fakt gjatë gjithë këtyre muajve kryetarët e bashkive që të na dërgojnë projekte infrastrukture, qoftë për digat, qoftë për masat parandaluese, për kanale, për ura në zona të caktuara me vështirësi aksesi, në mënyrë që brenda këtij muaji të bëjmë thirrjen dhe marrjen e të gjitha projekteve nga ju, t'i analizojmë bashkë me emergjencat civile dhe me stafet tuaja dhe të bëjmë renditjen e cilësisë së projekteve, në mënyrë që brenda tetorit, teksa jemi në proces finalizimi të ligjit të buxhetit 2025, të alokojmë fondin. Dhe kjo ju jep mundësi që të filloni punën që në dhjetor praktikisht. Ju jep mundësi që të përgatisni në mënyrë sa më efikase sezonin tjetër", - tha ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu.