Ministry for Foreign Afairs and Europe - Republic of Albania

09/04/2024 | Press release | Distributed by Public on 09/04/2024 08:32

Deklarata per shtyp e Ministrit Hasani dhe Ministres së jashtme të Finlandës, Valtonen

Fjala e Ministrit Hasani

Konferenca për shtyp e dy Ministrave

[Link]

E nderuar Ministre, e dashur Elina,

Më lejoni t'u shpreh mirënjohjen time për vizitën në Shqipëri dhe për bisedimet shumë interesante dhe produktive që zhvilluam. Më vjen mirë që kjo vizitë vjen menjëherë pas vizitës time në Helsinki në qershor të këtij viti. Kjo është shprehje e marrëdhënieve shumë të mira dypalëshe mes vendeve tona dhe e një vëmendje të veçantë tuajën dhe të Finlandës ndaj nesh dhe ndaj rajonit.

Së bashku me Ministren Valtonen diskutuam mbi disa tema të rëndësishme, duke u përpjekur të eksplorojmë mundësi të zgjerimit të marrëdhënieve tona dypalëshe, por edhe të bashkë ndajmë mendime e ide mbi zgjerimin e BE-së dhe perspektivën e Ballkanit Perëndimor. Gjithashtu, shqetësimet mbi sigurinë ishin një tjetër temë, veçanërisht në këtë kohë kur rreziqet gjeopolitike kanë potencialin të ndikojnë në stabilitetin dhe perspektivën edhe të rajonit tonë.

Diskutimi ishte i plotë edhe për sa i përket bashkëpunimit tonë shumëpalësh, me fokus të veçantë OSBE-në, sidomos duke marrë parasysh kryesinë e ardhshme të Finlandës për këtë organizatë për vitin tjetër.

Rikonfirmuam edhe një herë angazhimin për të rritur bashkëpunimin në të gjitha fushat me interes të përbashkët, me theks të veçantë në forcimin e lidhjeve ekonomike. Vlerësuam se ka ende punë thelbësore për të bërë në fusha si tregtia dhe investimet. Përfitoj nga ky rast për të ftuar kompanitë finlandeze të investojnë në Shqipëri. Ekspertiza dhe përvoja e tyre do të ishin shumë të vlefshme për tregun shqiptar dhe homologët e tyre. Një event i rëndësishëm, Slush'D që do të zhvillohet në Tiranë muajin e ardhshëm (në tetor) është një shembull se si mund të promovohet biznesi midis dy vendeve dhe shpresojmë që kompanitë tona të marrin pjesë në Slush në Helsinki në të ardhmen.

[Link]

E përditësova kolegen mbi progresin e Shqipërisë në zbatimin e axhendës së reformave dhe i shpreha mirënjohjen tonë të thellë Finlandës për mbështetjen e palëkundur dhe të vazhdueshme në rrugën tonë të integrimit evropian. Në kontekstin aktual politik dhe të sigurisë, theksuam rolin jetik të politikës së zgjerimit të BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor.

Së bashku me Elinën shprehemi në një mendje se siguria dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor janë të një rëndësie kritike. Në këtë pikë, nënvizuam nevojën që NATO dhe BE të ruajnë fokusin e tyre në këtë rajon strategjik dhe të kundërshtojnë ndikimin keqdashës të aktorëve të tretë.

Dhe në një mjedis gjeopolitik gjithnjë e më të vështirë, vlerat e bashkëpunimit ndërmjet vendit tonë, anëtarëve të BE, dhe aleatëve të NATO-s, si dhe shkëmbimin e praktikave të mira del në pah dhe në vëmendjen kryesore. Në këtë aspekt, pas anëtarësimit në Qendrën Evropiane të Ekselencës për Kërcënimet Hibride me qendër në Helsinki, duke sjellë në tryezë perspektivën tonë, Shqipëria do të forcojë më tej përpjekjet e përbashkëta për të luftuar këto kërcënime hibride.

Me Ministren ndamë edhe shqetësimin real për luftën e vazhdueshme në Ukrainë dhe pasojat e saj në të gjithë kontinentin. Me këtë rast, riafirmuam edhe një herë pa mëdyshje mbështetjen tonë për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. Ne qëndrojmë gjithmonë me Ukrainën dhe, krahas vendeve të njëmendta, do të vazhdojmë ta mbështesim atë për aq kohë sa të jetë e nevojshme.

[Link]

Një pjesë e rëndësishme e diskutimit tonë u fokusua në bashkëpunimin shumëpalësh, në një shkëmbim gjithëpërfshirës të pikëpamjeve, veçanërisht në lidhje me çështjet e OSBE-së dhe sfidat me të cilat përballet organizata. Shpresojmë që 50-vjetori i Aktit Final të Helsinkit në 2025, i cili do të përkojë me kryesinë Finlandeze të OSBE-së, do të shënojë një moment kyç për OSBE-në, duke çuar në siguri, stabilitet, dialog dhe efektivitet të shtuar. E sigurova kolegen dhe miken e dashur, ministren Valtonen, për mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë.

E dashur Elina, më lejoni edhe një herë t'ju falënderoj për praninë tuaj sot në Tiranë. Do të kem kënaqësinë të takohem me ju edhe në forume të tjera së shpejti. Por e rëndësishme është që së bashku ne kemi një kanal të mrekullueshëm komunikimi dhe angazhimi. Faleminderit!

Fjala e Ministres Finlandeze, Valtonen

Konferenca për shtyp e dy Ministrave

[Link]

Është një nder që të jem këtu sot dhe ju falenderoj për mikpritjen tuaj. Pra ky është takimi ynë i dytë pas takimit që zhvilluam para pak muajsh. I nderuar z. Hasani, faleminderit.

Vizita ime sot mbulon çështjet dypalëshe midis Finlandës dhe Shqipërisë, si dhe rrugën e Shqipërisë drejt BE-së dhe politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian. Ajo që duhet thënë është se marrëdhëniet dypalëshe janë të shkëlqyera, nuk kemi asnjë çështje të pazgjidhur.

Presim vetëm thellimin e lidhjeve tona shumë, shumë të ngushta, veçanërisht siç përmendi ministri, te biznesi dhe sipërmarrja. Finlanda mbështet rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Ne vlerësojmë rolin aktiv dhe konstruktiv të Shqipërisë në komunitetin ndërkombëtar.

Si aleatë në NATO ne ndajmë qëllimin e forcimit të sigurisë së Evropës. Ne po kërkojmë së bashku mundësitë për të rritur marrëdhëniet tona tregtare, vençanërisht në energjinë e rinovueshme. Tashmë ka një bashkëpunim premtues midis komuniteteve tona fillestare, gjë që është e shkëlqyer sepse padyshim që ne kemi nevojë për perspektiva pozitive, veçanërisht për të rinjtë tanë në të dyja anët.

[Link]

Kështu që unë e shoh këtë si një bashkëpunim të favorshëm si për ekonomitë ashtu edhe për njerëzit tanë. Ballkani Perëndimor është në zemër të Evropës dhe vendi i tyre është në Bashkimin Evropian. Në mjedisin aktual të sigurisë në Evropë, ne duhet të punojmë edhe më intensivisht për t'u integruar.

BE- ja dhe Ballkani Perëndimor duhet të forcojnë bashkëpunimin në politikën e jashtme dhe të sigurisë, por edhe në çështjet ekonomike, të cilat të dyja ecin paralelisht. Ministri i Jashtëm Hassani dhe unë diskutuam për sigurinë evropiane dhe botërore me luftën e vazhdueshme që Rusia po bën kundër Ukrainës. Ukraina ka nevojë për mbështetjen tonë dhe ne do të qëndrojmë me Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme.

Diskutuam edhe çështje aktuale në lidhje me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). OSBE-ja ka një rol të rëndësishëm dhe të rëndësishëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke ndihmuar vendet në forcimin e institucioneve demokratike dhe sundimin e ligjit. Dhe nga këto reforma, natyrisht, do të përfitojnë njerëzit e Ballkanit Perëndimor dhe do të shërbejnë edhe si përmbushje e kushteve për përmbushjen e kritereve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Dhe mirëpres bashkëpunimin me Shqipërinë pasi Finlanda do të marrë kryesimin e Organizatës vitin e ardhshëm dhe dua të falënderoj gjithashtu Shqipërinë, si dhe Ministrin Hassani personalisht për angazhimin e tij dhe punën e tij gjithëpërfshirëse për dhe në Organizatën e deritanishme. Faleminderit shumë që më pritët mua dhe ekipin tim, dhe mirëpres bashkëpunim akoma dhe më intensiv në të ardhmen.