Ministry of Defence - Republic of Albania

10/31/2024 | Press release | Distributed by Public on 10/31/2024 09:04

Projektet për emergjencat civile, ministri Vengu takim me kryebashkiakët e qarkut të Lezhës

Projektet për emergjencat civile, ministri Vengu takim me kryebashkiakët e qarkut të Lezhës


e enjte, 31 tetor 2024 15:59

Pas Durrësit dhe Shkodrës, ministri i Mbrojtjes z. Pirro Vengu bisedoi me kryetarët e bashkive të qarkut të Lezhës, në kuadër të çeljes së aplikimeve për projektet e Mbrojtjes Civile.
Në këtë takim ishin të pranishëm edhe ministri i Drejtësisë z. Ulsi Manja, njëherësh i deleguar politik i Partisë Socialiste për qarkun, prefekti i Lezhës z. Gjergj Prendi, drejtori i AKMC, z. Haki Çako dhe kryebashkiakët e Lezhës, Mirditës dhe Kurbinit.

Me të zgjedhurit vendorë të qarkut të Lezhës, ministri Vengu diskutoi për përparësitë që këtë vit u jep thirrja e qeverisë për të përballuar situatat e vështira të emergjencave civile. Sipas ministrit Vengu: "Lezha si një qark me risk të lartë, bazuar në eksperiencën e viteve të shkuara ka nevojë për financime në projektet e infrastrukturës parandaluese, rikonstruksionit të digave apo mjeteve". Ndaj ai ftoi drejtuesit vendorë që së bashku të punojnë që deri në datën 25 nëntor kur mbyllet thirrja, të finalizohen projektet më të rëndësishme të tre bashkive.

Përmes kësaj thirrjeje, Ministria e Mbrojtjes synon të rrisë vigjilencën dhe Mbrojtjen Civile në të gjithë vendin e njëherësh synon forcimin e strukturave lokale për të përballuar me sukses rastet e emergjencave.