Delegation of the European Union to Albania

06/21/2024 | Press release | Distributed by Public on 06/21/2024 08:40

Fjalimi i Ambasadorit të Bashkimit Evropian, Silvio Gonzato, gjatë eventit 'Drejtësia e përbashkët - Promovimi i sistemeve të drejta dhe gjithëpërfshirëse të reformës së[...]

PRINTO

Fjalimi i Ambasadorit të Bashkimit Evropian, Silvio Gonzato, gjatë eventit "Drejtësia e përbashkët - Promovimi i sistemeve të drejta dhe gjithëpërfshirëse të reformës së drejtësisë në Ballkanin Perëndimor"

© EU in Albania

I nderuar zoti Kanani, e nderuar zonja Skëndaj,

Të nderuar përfaqësues të Liderëve të Rinj Evropianë,

Të nderuar pjesëmarrës,

Politikëbërja për tema të një rëndësie të tillë si "reforma e paanshme dhe gjithëpërfshirëse në drejtësi" duhet të jetë gjithëpërfshirëse, duke përfshirë gjithë aktorët përkatës dhe duke marrë parasysh të gjitha pikëpamjet përkatëse.

Tryezat publike që përfshijnë politikëbërësit, ekspertët, profesionistët, shoqërinë civile dhe liderët e rinj - si kjo e sotmja - janë një instrument thelbësor për arritjen e kësaj dhe mua më vjen mirë që BE-ja është pjesë e kësaj përpjekjeje dhe po e mbështet atë, politikisht dhe financiarisht.

Kur flasim për "paanësi", duhet të jemi të drejtë edhe në diskutimin tonë për reformën në drejtësi. Duhet të jemi të balancuar në vlerësimin tonë, qasjet bardh-e-zi nuk janë konstruktive.

Në Shqipëri është bërë progres i rëndësishëm gjatë viteve të fundit në reformën në drejtësi. Arritjet kryesore përfshijnë krijimin dhe funksionimin efektiv të autoriteteve të pavarura gjyqësore dhe rritjen e transparencës dhe integritetit të tyre, si nëpërmjet procesit të jashtëzakonshëm të vetingut, ashtu edhe përmes sistemit të ri të rishikimit të vazhdueshëm [për shembull, futja e vlerësimit të rregullt të performancës së magjistratëve, deklaratat e detyrueshme të pasurisë, apo inspektimet e rregullta individuale, por edhe tematike].

Ngritja dhe fuqizimi i strukturave të veçanta të pavarura kundër korrupsionit (SPAK) - të cilat kanë nisur të japin rezultate - është një hap tjetër i rëndësishëm.

Reforma ka trajtuar (të paktën nga ana ndëshkuese) një sërë sëmundjesh të vjetra: nepotizmin, ndikimin politik dhe korrupsionin.

Nga ana tjetër, vetingu ka pasur kostot e tij të pamohueshme. Sistemi gjyqësor vuan nga vende të lira të shumtasi pasojë e kësaj dhe akumulimi i çështjeve të mbetura është sigurisht shqetësues. [Megjithatë, përfitoj nga rasti për të theksuar edhe se çështjet e mbetura janë çështje efiçence në një kuptim më të gjerë, kështu që fajësimi vetëm i vendeve të lira nuk jep një pasqyrë të plotë të realitetit].

Duhet bërë shumë më tepër për t'i zbutur këto efekte negative: duhet të hartojmë masa afatshkurtra, por edhe afatgjata, po aq sa edhe të sigurojmë një udhëheqje të fortë nga institucionet qeverisëse të gjyqësorit.

Udhëheqja e fortë varet nga njerëzit dhe zgjedhja e njerëzve që punojnë në këto institucione. Kjo është arsyeja pse procesi aktual i rinovimit të dy institucioneve më të larta gjyqësore (KLGJ dhe KLP) është kyç. Është e rëndësishme në këtë kontekst që parlamenti dhe të gjitha forcat politike brenda tij të marrin përgjegjësi për zgjedhjet e tyre dhe ta bëjnë këtë duke respektuar frymën e reformës, e cila duhej të garantonte vetëm zgjedhjen e njerëzve me kualifikimet më të larta dhe me garancitë e nevojshme për sa i takon pavarësisë. Ndaj, përsëritja gjithmonë e përzgjedhjes me shortnuk është zgjidhja ideale, megjithëse shorti, si i tillë, është një mekanizëm i dobishëm bllokimi i reformës.

Reformat janë të vështira dhe kanë armiqtë e tyre. Nuk duhet të jemi naivë. Korrupsioni është një fenomen i përhapur shoqëror dhe nëse institucionet nuk forcohen dhe secili të luajë rolin e vet, ekziston rreziku i dështimit. Synimi ynë duhet të jetë pakthyeshmëria e reformës.

Shoqëria civile luan qartazi një rol të rëndësishëm këtu - duke monitoruar, raportuar dhe mbrojtur vazhdimisht reformën.

Kur flasim për "gjithëpërfshirje", reforma në drejtësi ka hapur një dritare të re mundësie për pjesëmarrjen e shoqërisë civile: për shembull, tani anëtarët e OSHC-ve mund të jenë pjesë - madje edhe kryesues - të këshillave gjyqësorë.

Kjo mundësi - të paktën në Shqipëri - nuk është shfrytëzuar plotësisht. Numri i aplikimeve të shoqërisë civile për vendet e lira të shpallura ka qenë i ulët dhe duket se ka pasur shumë pak angazhim në këtë drejtim.

Megjithatë, prania e OSHC-ve në organet drejtuese të sistemit të drejtësisë nuk është çështje ekspertize ligjore, por një mundësi për të advokuar dhe sjellë një ndryshim pozitiv për çështje të rëndësishme si qasja në drejtësi, të drejtat civile, barazia, por, pse jo, edhe drejtësia për të miturit, dhuna me bazë gjinore, apo çështje mjedisore dhe ndërgjegjësimi i gjyqtarëve për këtë. Të gjitha çështje me rëndësi për qytetarët e thjeshtë në emër të të cilëve flisni.

Duket sikur OShC-të ende nuk e kanë pranuar reformën në drejtësi si "të tyren". Ato duken në mëdyshje për të qenë pjesë e reformës nga brenda dhe për të përfituar nga mundësitë që jep reforma për t'u angazhuar, advokuar dhe për të bërë ndryshimin drejt arritjes së atyre "standardeve më të mira evropiane" që janë pjesë e progresit të Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.

Në vend të kësaj, angazhimi i shoqërisë civile ka qenë mjaft i fragmentuar, shpesh i nxitur nga individë, dhe kjo është për të ardhur keq. Ju ftoj të gjithëve të reflektoni për mënyrat e advokimit brenda gjyqësorit, nga brenda institucioneve.

Bashkimi Evropian sigurisht që luan një rol edhe në reformat në drejtësi në Shqipëri dhe në Ballkanin Perëndimor. Nuk duhet të harrojmë se reformat në drejtësi janë nxitur në rajon nga angazhimi i vendeve për të çuar përpara shtetin ligjor si pjesë përbërëse e ambicies së tyre për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Por kur BE-ja vendos standarde të larta, merr gjithashtu edhe përgjegjësinë për të qëndruar pranë vendeve/institucioneve dhe për t'i ndihmuar ato. Arritja e këtyre standardeve në një mënyrë të qëndrueshme është pjesë e ambicieve tona.

Ne ndihmojmë përmes programeve të ndryshme financiare (ndihmë teknike, mbështetje buxhetore, por edhe mbështetje për shoqërinë civile, si kjo),por edhe duke i monitoruar nga afër zhvillimet dhe duke i shoqëruar ato përmes dialogut politik intensiv.

Ne publikojmë çdo vit raportet e vendit dhe tani, kemi raporte shqyrtimi për "kapitujt e negociatave", ndërsa së shpejti do të publikojmë edhe "Raportet e para për shtetin ligjor", të ngjashëm me ato të shteteve anëtare të BE-së. Ju lutem, hidhini një sy. Ftoj të gjitha OSHC-të që të jenë partnerët tanë në advokimin për prioritetet e identifikuara dhe monitorimin e zbatimit të tyre.

Përveç kësaj, kohët e fundit, është shtuar një instrument i ri për çuarjen përpara të reformave, përfshirë edhe ato të shtetit ligjor: Agjenda e Reformës dhe Rritjes ("Plani i Rritjes"), duke ofruar një qasje të balancuar dhe të drejtë bazuar në kushte dhe kompensime. Ky mund të jetë gjithashtu një burim frymëzimi për advokimin dhe vazhdimësinë nga ana juaj.

Integrimi në BE është një objektiv, por është gjithashtu një proces që përfshin ndryshime rrënjësore, të cilat përfshijnë pothuajse çdo sektor të shoqërive tona.

Reforma të tilla të thella, dhe reforma në drejtësi është njëra prej tyre, nuk kanë mundësi të mbijetojnë gjatë dhe të sjellin rezultate të qëndrueshme pa përfshirjen e gjithë shoqërisë. Këtë e theksoj pa u lodhur, kur i drejtohem shoqërisë civile, por edhe në kuadër të punës parlamentare dhe marrëveshjeve shumëpartiake.

Këtë vit Java e Evropës kishte të bënte me vlerat e BE-së, të tilla si gjithëpërfshirja, diversiteti dhe të drejtat e njeriut. Shoqëria civile është forca lëvizëse për të gjitha këto vlera, shoqëria civile është faktor kyç i ndryshimit në këto fusha. Pra, kemi nevojë që ju jo vetëm të monitoroni dhe kritikoni, por, të gjithë së bashku, edhe t'i promovojmë, t'i mbështesim dhe t'i mbrojmë këto vlera.

Besoj se diskutimi i sotëm do të kontribuojë në mënyrë efektive për reflektimin mbi reformat e kryera, ndikimin e tyre dhe nevojat e ardhshme, si dhe për reflektimin mbi kontributin që të gjithë ju mund të sillni, si dhe përgjegjësinë që keni të gjithë ju për suksesin e tyre.