Ministry for Foreign Afairs and Europe - Republic of Albania

08/29/2024 | News release | Distributed by Public on 08/29/2024 19:24

“Diplo 2024”, Ministri Hasani: Në MEPJ një strukturë e posaçme për shqiptarët në rajon

Në ditën e dytë të Konferencës së Ambasadorëve, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, theksoi se shqiptarët në rajonin e Ballkanit Perëndimor janë faktorë dhe aktorë pro aktivë në hartimin dhe implementimin e politikave, si në rrafsh lokal ashtu dhe rajonal.

"Tirana nuk ndërhyn në çështjet e brendshme dhe në dialogun e brendshëm të shqiptarëve kudo që ata janë. Ne përpiqemi të angazhohemi dhe të flasim me motrat dhe vëllezërit tanë për një çështje shumë të rëndësishme që është integrimi i euroatlantikut. Të gjitha forcat politike shqiptare kudo ku ata janë, kanë qenë promotorët e zhvillimit dhe zhvendosjes së shoqërive të tyre, drejt familjes evropiane", tha ministri Hasani gjatë panelit "Hapësira shqiptare në gjeopolitikën e rajonit" të drejtuar nga gazetari Sokol Balla.

Kryediplomati shqiptar Hasani u shpreh se MEPJ ka filluar një projekt serioz për të krijuar një departament i cili do të merret eksluzivisht me shqiptarët në rajon.

"Ky departament do të merret me të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me shqiptarët e luginës, me vëllezërit dhe motrat në Kosovë, me situatën në Mal të Zi. Ne do të vazhdojmë të jemi këmbëngulës, do të vazhdojmë të jemi të angazhuar në mënyrë që edhe realitete të tjera të cilat kanë nevojë për vëmëndjen e shtetit shqiptar, të jenë të mirë përfaqësuara brenda këtij viti", tha MEPJ Igli Hasani.

Pjesë e panelit ishin edhe Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor i RMV, Izet Mexhiti; Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik i Malit të Zi, Nik Gjeloshaj; Doktori i Shkencave të Historisë në Universitetin e Prishtinës, Ibrahim Gashi dhe Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Nevzad Lutfiu.

Lutfiu vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të palës shqiptare për shqiptarët në Luginën e Preshevës.

"E ndiejmë mbështetjen dhe fokusin e Kosovës dhe të Shqipërisë. Unë besoj që është koha që Kosova dhe Shqipëria të hartojnë një strategji kombëtare përmes së cilës i qasen interesave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës", tha Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Nevzad Lutfiu.