Ministry of Defence - Republic of Albania

10/30/2024 | Press release | Distributed by Public on 10/30/2024 06:26

Qeveria miraton projektligjin për “rezervistët”, do të jenë kapacitete shtesë përkrah forcave aktive të FA në operacione

Qeveria miraton projektligjin për "rezervistët", do të jenë kapacitete shtesë përkrah forcave aktive të FA në operacione


e mërkurë, 30 tetor 2024 13:22

Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e tij të fundit, projektligjin "Për organizimin dhe funksionimin e Forcës Rezerviste në Republikën e Shqipërisë". Ky projektligj ka për qëllim përcaktimin e rregullave për organizimin dhe funksionimin e shërbimit rezervist në Republikën e Shqipërisë, të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë e shtetasve, të organeve shtetërore e subjekteve private për mobilizimin.

Projektligji që funksionon si pjesë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, do të shërbejë për të siguruar individë të trajnuar, me qëllim kompletimin e strukturës së FA, ruajtjen e nivelit të gatishmërisë dhe operacionalitetit të kërkuar si dhe rritjen e kapaciteteve të mbrojtjes, të nevojshme në kontekstin aktual të sigurisë në rajon e më gjerë si dhe për plotësimin e detyrimeve kombëtare në kuadër të NATO, operacioneve në përgjigje të krizave, operacionet e mbështetjes së paqes, sigurisë rajonale e globale si dhe operacionet e emergjencave civile.

Projektligji i ri përmban 34 nene që rregullojnë aspektet e organizimit të shërbimit në rezervë, përfshirë kriteret për pranimin, kohëzgjatjen e shërbimit dhe detyrimet e autoriteteve përkatëse. Shërbimi në rezervë do të përfshijë një forcë rezerviste që do të përbëhet nga 25% e forcave aktive, ose rreth 2100 personel, duke siguruar kështu një kapacitet të rëndësishëm për reagim të shpejtë në raste emergjente.

Sipas përcaktimeve të projektligjit të ri, ushtarakët, të cilët, në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, kanë dalë në rezervë sipas kritereve të përcaktuara në ligjin për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, si edhe shtetasit civilë, të cilët plotësojnë kriteret e pranimit të shërbimit ushtarak në rezervë, rekrutohen nëpërmjet procedurës së konkurrimit dhe nënshkruajnë kontratën përkatëse për shërbimin ushtarak në rezervë me kohëzgjatje jo më pak se 2 vjet me të drejtë rinovimi, por pa kaluar kriteret e qëndrimit në shërbimin ushtarak në rezervë.

Me përfshirjen e tij në strukturat rezerviste të Forcave të Armatosura, ushtarakët në rezervë gëzojnë të gjitha të drejtat si ushtarakët aktivë, ndërsa i jepet grada ushtarake që ka pasur në momentin e ndërprerjes së shërbimit aktiv në Forcat e Armatosura. Shtetasit shqiptarë që nuk kanë shërbyer më parë në shërbimin ushtarak aktiv në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe që plotësojnë kriteret e pranimit në shërbimin ushtarak në rezervë titullohen dhe u jepet grada e parë ushtarake.