Ministry of Defence - Republic of Albania

10/31/2024 | Press release | Distributed by Public on 10/31/2024 08:16

Kuvendi miraton ligjin “Për shërbimin e kërkim-shpëtimit”, Ministri Vengu: Shqipëria ka detyrim të ofrojë shërbim të besueshëm dhe efikas

Kuvendi miraton ligjin "Për shërbimin e kërkim-shpëtimit", Ministri Vengu: Shqipëria ka detyrim të ofrojë shërbim të besueshëm dhe efikas


e enjte, 31 tetor 2024 15:16

Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 72 vota pro dhe 2 abstenim projektligjin "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin "Për shërbimin e kërkim-shpëtimit në Republikën e Shqipërisë". Ky projektligj ka si qëllim funksionimin e një shërbimi efikas dhe bashkëkohor të kërkim-shpëtimit, duke rregulluar fushën e përgjegjësisë së këtij shërbimi, si dhe duke iu përgjigjur nevojave aktuale për ristrukturimin e këtij shërbimi në respektim të përcaktimeve të detyrimeve të Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil.

Teksa mbrojti projektligjin në seancë plenare, Ministri i Mbrojtjes z.Pirro Vengu tha se ky ligj është një hap thelbësor, qoftë nga pikëpamja e linjëzimit me standardet ndërkombëtare, qoftë nga pikëpamja e rritjes së kapaciteteve të shërbimit të kërkim-shpëtimit në vendin tonë. Sipas Ministrit Vengu, "gjatë tre viteve të fundit ka rritje të trafikut ajror dhe atij detar në vendin tone dhe kjo vjen bashkë me detyrimin për të pasur një shërbim kërkim - shpëtimi më të mirë dhe një mbulim sa më të përafruar me standardet, qoftë nga pikëpamja e incidenteve detare, qoftë nga pikëpamja e incidenteve ajrore".

Ndaj, theksoi Ministri i Mbrojtjes, arsyeja kryesore e ndërhyrjes së Qeverisë në këtë projektligj është mundësia që shërbimi i kërkim-shpëtimit, që ka lidhje me Forcën Ajrore, Forcën Tokësore, Forcën Detare të jetë në lartësinë e kësaj sfide të re në vendin tonë.

Ndërsa arsyeja e dytë e ndërhyrjes, sipas Ministrit Vengu ka të bëjë me linjëzimin me konventat ndërkombëtare dhe veçanërisht me Konventën e Aviacionit Civil Ndërkombëtar. "Në bazë të këtyre konventave, Shqipëria ka obligime ndërkombëtare për të ofruar një shërbim të besueshëm dhe efikas, të bashkërenduar me shërbime partnere, veçanërisht në rastin e aksidenteve ajrore dhe detare brenda rajonit të përgjegjësisë së kërkim-shpëtimit të Republikës së Shqipërisë", u shpreh Ministri Vengu.
Në këtë ligj të ri parashikohet krijimi i funksioneve të mbikqyrjes së kërkim-shpëtimit, që do të thotë se Agjencia ekzistuese që është Autoriteti e Aviacionit Civi, do të mbartë sipas konventave ndërkombëtare dhe detyrën e monitorimit të shërbimit të kërkim - shpëtimit dhe do të auditojë rregullisht performancën, investimet, sistemet teknologjike gjithashtu edhe kapacitetet njerëzore në funksion të këtij shërbimi 24 orësh në vendin tonë.

Sipas këtij ligji të sapomiratuar parashikohet ngritja dhe funksionimi i Komitetit Kombëtar të Kërkim-Shpëtimit, pranë Ministrisë së Mbrojtjes. Ky komitet do të kryesohet nga Koordinatori Kombëtar i Kërkimit-Shpëtimit, i cili është Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe do të ketë anëtarë përfaqësues nga të gjitha ministritë përgjegjëse për fushën e kërkim-shpëtimit, si dhe nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile. Ky do të jetë autoriteti që do të bëjë edhe bashkërendimin e forcave në rast aksidentesh detare apo ajrore.