10/31/2024 | Press release | Distributed by Public on 10/31/2024 03:30
Të nderuar profesorë,
Të nderuar kolegë,
Të nderuar të ftuar,
Kam kënaqësinë të përshëndes këtë aktivitet për promovimin e veprës më të fundit të profesorit dhe akademikut të shquar z. Anastas Angjeli, me titull "Institucionet e Bretton Woods-it dhe Shqipëria". Ky libër ofron një përshkrim të plotë dhe interesant të rolit që institucionet ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), Banka Botërore (BB) dhe Organizata Botërore e Tregtisë (OBT) kanë luajtur në stabilizimin dhe prosperitetin e ekonomisë sonë. Ai na fton të rishikojmë mënyrën se si e kuptojmë ekonominë dhe rolin e institucioneve vendase dhe të huaja në rivendosjen e besimit dhe hedhjen e bazave për rritjen e qëndrueshme të ekonomisë, si dhe sigurimin e investimeve në kapacitetet e zhvillimit afatgjatë, me qëllimin mbështetjen e stabilitetit dhe prosperitetit ekonomik e financiar të secilit vend.
Historiku i përshkruar në libër përfshin në diskutim të gjithë kontekstin e teorisë ekonomike, që duke eksploruar në mënyrë të plotë të shkruarën nxit më shumë reflektimin mbi të ardhmen. Ai përshkruan sfidat që na presin, duke nënvizuar rolin që luajnë këto institucione në zbutjen e goditjeve makroekonomike dhe rritjen e rezistencës ndaj tyre.
Libri paraqet rrugëtimin historik dhe bashkëpunimin e Shqipërisë me FMN-në, Bankën Botërore dhe Organizatën Botërore të Tregtisë, duke i ilustruar me shembuj konkretë dhe të prekshëm për lexuesin. Ai ofron njohuri të vlefshme dhe praktike, jo vetëm për hartimin dhe zbatimin e politikave të këtyre institucioneve në promovimin e stabilitetit financiar dhe zhvillimit ekonomik, por edhe për politikat që duhet të ndërmarrim për të shmangur grackën e "middle income trap".
Në mënyrë të përmbledhur, mund të them që ky libër është i rëndësishëm jo vetëm për lexuesin shqiptar e të huaj, por edhe për studiuesit e ekonomisë, historianët dhe diplomatët, për disa arsye:
Së pari, nëpërmjet shtjellimit të pasuruar me shembuj konkretë dhe fakte historike, libri paraqet se si ekuilibri ekonomik e financiar dhe zhvillimi ekonomik janë kushte të nevojshme e të mjaftueshme për prosperitetin e qëndrueshëm ekonomik.
Së dyti, libri ofron një perspektivë praktike për politikbërësit, duke e pasuruar analizën me përshkrime e konkluzione për sfidat e ardhshme dhe jep rekomandime për adresimin e tyre.
Së treti, duke marrë në konsideratë se jetojmë në një ekonomi gjithnjë e më globale, është e rëndësishme të theksohet bashkëpunimi ndërkombëtar institucional për të adresuar sfidat strukturore ekonomike, por edhe për formimin, konsolidimin dhe mbështetjen e institucioneve dhe kryesisht bankës qendrore.
Institucionet, pavarësia, profesionalizmi, roli dhe rëndësia e tyre evidentohen jo vetëm si ura lidhëse ndërmjet institucioneve ndërkombëtare dhe ekonomisë shqiptare, por edhe si një faktor thelbësor i stabilitetit ekonomik e financiar të vendit. Në këtë pikë, libri është në harmoni të plotë me konkluzionet e kohëve të fundit, se institucionet dhe cilësia e tyre japin një kontribut të rëndësishëm për të shpjeguar diferencat në zhvillim dhe prosperitet ndërmjet kombeve. Për më tepër, institucionet përfshirëse janë garantuese të stabilitetit ekonomik e financiar të vendit, duke e nxitur dhe përshpejtuar zhvillimin ekonomik e financiar dhe prosperitetin e shoqërisë.
Në këtë këndvështrim, mund të them me siguri se Banka e Shqipërisë i mishëron plotësisht këto karakteristika dhe është një shtyllë e rëndësishme e stabilitetit ekonomik e financiar të vendit, duke luajtur gjithashtu një rol të rëndësishëm në zhvillimin dhe nxitjen tregut financiar, qëndrueshmërinë dhe rezistencën e tij, si dhe përfshirjen financiare të popullatës. Mbi të gjitha, Banka e Shqipërisë jep një kontribut të rëndësishëm në stabilitetin e çmimeve, i cili përbën objektivin kryesor të saj.
Statistikat tregojnë se luhatja e çmimeve në ekonominë shqiptare është më e vogël se në eurozonë apo në ekonomitë e rajonit, pavarësisht se sfidat tona kanë qenë më të shumta. Kjo arritje i dedikohet jo vetëm mirëadministrimit të politikës monetare dhe bashkërendimit të saj me politikat makro e mikro-prudenciale, por edhe risive të aplikuara nga Banka e Shqipërisë për të adresuar ndryshimet e rëndësishme strukturore që janë shfaqur në ekonominë shqiptare.
Gjatë 5 viteve të fundit, politika jonë monetare ka qenë mjaft e zhdërvjellët për t'ju përgjigjur luhatjeve të kërkesës e ofertës agregate përmes ndryshimeve të kujdesshme të normës së interesit. Madje, në rastet kur është vlerësuar se vetëm ndryshimi i normës së interesit nuk ka qenë i mjaftueshëm, Banka e Shqipërisë e ka mbështetur politikën monetare me masa të rëndësishme makroprudenciale. Tërësia e gjithë masave të ndërmarra ka lehtësuar situatën financiare të familjeve dhe bizneseve, duke garantuar jo vetëm ecurinë pozitive të konsumit, prodhimit dhe investimeve, por edhe duke minimizuar luhatjen e çmimeve që shkaktohet nga diferencat e kërkesës dhe ofertës.
Efektet e ndryshimeve strukturore me të cilat është përballur ekonomia në strukturën e prodhimit, zhvillimet demografike dhe ndikimi i tyre në tregun e punës, rritja e investimeve të huaja, të ardhurat nga turizmi dhe emigrantët në ekonominë shqiptare, janë pasqyruar në kursin e këmbimit, i cili ka luajtur një rol amortizues, duke shpërndarë efektet në të gjithë sektorët e ekonominë reale, rrjedhimisht edhe tek inflacioni. Në përgjigje të këtyre ndryshimeve strukturore, politika monetare e Bankës së Shqipërisë është bërë inovative. Ndërhyrjet në funksion të menaxhimit të rezervës valutore dhe për të kontrolluar shpejtësinë e vlerësimit të Lekut kundrejt Euros kanë mundësuar zbutjen e presioneve deflacioniste që shkakton kursi i këmbimit në çmime.
Paralelisht, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë edhe një sërë nismash të tjera, që kanë të bëjnë me rritjen e përfshirjes dhe kulturës financiare, ku Ligji për Llogarinë e Pagesave me Shërbime Bazike, aplikimi për anëtarësimin tonë në SEPA dhe Strategjia për Edukimin dhe Përfshirjen Financiare, pritet të sjellin ndryshime të rëndësishme në zhvillimin e mëtejshëm të sistemit financiar, reduktimin e informalitetit dhe rritjen e efikasitetit të transmetimit të politikës monetare.
Ju garantoj se Banka e Shqipërisë do të vijojë të mbetet e kujdesshme dhe inovative në marrjen e masave të nevojshme për të reaguar në kohë dhe në masën e duhur ndaj zhvillimeve ekonomike edhe financiare, duke mbajtur në konsideratë krijimin e një ambienti ekonomik me çmime të qëndrueshme, si një instrument për ruajtjen e vlerës së kursimeve të qytetarëve dhe për nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm dhe afatgjatë të vendit.
Në përfundim të fjalës sime, më lejoni edhe një herë të falënderoj Profesor Angjelin për këtë libër të ri, i cili paraqet një histori të pasuruar me fakte dhe konkluzione interesante për ekonominë dhe financën. Ai vjen si një këshillë për të gjithë vendimmarrësit që të punojmë për prioritetet tona për një ekonomi të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, pa harruar bashkudhëtarët tanë institucionalë. Vetëm në këtë mënyrë do të ndërtojmë një ekonomi të gatshme për të përballuar çdo sfidë të ardhshme.
Faleminderit për vëmendjen dhe pres me padurim veprën e radhës të profesor Angjelit, e cila jam i bindur se do të trajtojë dukuri dhe çështje me interes për të gjithë ekonomistët, studiuesit dhe studentët.
Faleminderit!