BQK - Central Bank of the Republic of Kosovo

10/02/2024 | Press release | Distributed by Public on 10/02/2024 05:07

Guvernatori Ismaili merr pjesë në Konferencën e...

02/10/2024

[Link]

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, z. Ahmet Ismaili, mori pjesë si folës në panel në Konferencën e 10-të Vjetore me temë "Bankat Qendrore dhe Bankingu Qendror në një botë shumë komplekse: demonstrimi i përkushtimit dhe ruajtja e besueshmërisë", e organizuar në Shkup nga Banka Popullore e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Komiteti i Bretton Woods.

Në këtë konferencë të nivelit të lartë morën pjesë guvernatorë, udhëheqës dhe përfaqësues të lartë nga Banka Qendrore Evropiane, Autoriteti Bankar Evropian, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, si dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Gjatë takimit u diskutuan tema të rëndësishme për sektorin financiar, si rëndësia e pavarësisë së bankave qendrore, politika monetare, stabiliteti dhe mbikëqyrja financiare, kornizat rregullative sipas standardeve të Bazelit, përfshirja financiare dhe roli i bankave qendrore në adresimin e krizave.

[Link]

Guvernatori Ismaili mori pjesë në panelin me temë "Mësimet e marra nga krizat e fundit dhe pritjet për të ardhmen", të kryesuar nga z. Sebastian Sosa, Përfaqësues Rajonal Rezident i FMN-së për Vendet e Ballkanit Perëndimor. Paneli përfshinte përfaqësues nga Bankat Qendrore të Kroacisë, Belgjikës, Lituanisë, Bankës Evropiane të Investimeve dhe Instituti Brookings.

Gjatë fjalës së tij, Guvernatori Ismaili diskutoi për mënyrën e adresimit të sfidave të viteve të fundit, treguesit kyç makroekonomikë dhe zhvillimet në sektorin bankar të Kosovës. Ai elaboroi mbi instrumentet dhe politikat rregullatore në dispozicion te BQK-së dhe paraqiti masat e ndërmarra për të zbutur efektet e krizave globale. Me tej gjithashtu theksoi aktivitetet e BQK-së që synojnë rritjen e qëndrueshmërisë së sistemit financiar, që në raste të sidave të mundshme të sigurohet përballje me pasoja sa më të vogla për ekonominë dhe sektorin financiar të vendit.

Në margjinat e kësaj konference, Guvernatori Ismaili zhvilloi takime me homologë nga bankat qendrore, përfaqësues të lartë të autoriteteve rregullatore të Bashkimit Evropian dhe institucioneve financiare ndërkombëtare.

BQK-ja vazhdon të forcojë marrëdhëniet e bashkëpunimit me bankat qendrore të rajonit dhe të BE-së, si dhe me institucionet financiare ndërkombëtare, me qëllim përmirësimin e qëndrueshmërisë së sistemit financiar dhe arritjen e objektivave të saj.