Ministry of Defence - Republic of Albania

07/05/2024 | Press release | Distributed by Public on 07/05/2024 05:41

Efektivë dhe mjete të FA, u angazhuan në shuarjen e dy vatrave të zjarrit në Dhërmi e në Qafën e Llogarasë

Efektivë dhe mjete të FA, u angazhuan në shuarjen e dy vatrave të zjarrit në Dhërmi e në Qafën e Llogarasë


e premte, 05 korrik 2024 13:28

Fotogaleria

Dy vatra zjarri, të regjistruara në 24 orët e fundit në qarkun e Vlorës janë shuar, pas përpjekjeve të përbashkëta të forcave zjarrfikëse, efektivëve të Forcave të Armatosura, punonjësve të administratës së Zonave të Mbrojtura, punonjës të OSHEE e forcave të tjera, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare së Mbrojtjes Civile (AKMC).

Helikopteri Cougar dhe efektivë të Forcave të Armatosura u angazhuan menjëherë, sipas kërkesës së autoriteteve vendore, në shuarjen e zjarrit të rënë pasditen e së enjtes, në lagjen "Kondraq", Dhërmi, duke shmangur rrezikun për banesat aty pranë.



Më e vështirë situata u paraqit në Qafën e Llogarasë, ku u konstatua një tjetër vatër zjarri, po pasditen e djeshme. Për të ndihmuar forcat e emergjencave në kryerjen e operacionit për shuarjen e flakëve, por edhe për shkak të tymit të përhapur në atë zonë, AKMC u kërkoi të gjithë drejtuesve të mjeteve të shmangnin kalimin në këtë rrugë. Pas disa orë përpjekjesh, ku u angazhuan edhe të tjerë efektivë të Forcave të Armatosura, mëngjesin e kësaj të premteje, u bë e mundur që flakët të shuhen dhe të shmanget rreziku për dëmtimin e Parkut Kombëtar të Llogarasë.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ndezjes së zjarrit në Qafën e Llogarasë dhe për vënien para drejtësisë të autorit apo autorëve.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe Ministria e Mbrojtjes u bëjnë thirrje banorëve të tregojnë kujdes, veçanërisht gjatë këtyre muajve të nxehtë, kur edhe mundësia për përhapjen e zjarreve është edhe më e madhe.