Ministry of Defence - Republic of Albania

09/18/2024 | Press release | Distributed by Public on 09/18/2024 04:15

Fjala e plotë e ministrit të Mbrojtjes, z. Pirro Vengu, në seancën e hapjes së Konferencë së 27 të të Shefave të Shtabit të Përgjithshëm të Iniciativës SHBA Karta e Adriatikut


e mërkurë, 18 shtator 2024 12:02

Fjala e plotë e ministrit të Mbrojtjes, z. Pirro Vengu, në seancën e hapjes së Konferencë së 27-të të Shefave të Shtabit të Përgjithshëm të Iniciativës SHBA - Karta e Adriatikut, mbajtur në Tiranë më 17 - 19 shtator 2024.

I nderuar president i Republikës, zoti Bajram Begaj,
të nderuar shefa të Shtabeve të Përgjithshëm
i nderuar gjeneral Cavoli, admiral Munsch,
të nderuar pjesëmarrës oficerë në cilësitë dhe gradat tuaja,
mirë se keni ardhur në Tiranë!

Është padyshim një kënaqësi e veçantë të kemi këtë bashkëbisedim dhe ndërveprim sot:

Prej vitit 2003, kur Karta e Adriatikut u nënshkrua në Tiranë, së bashku, kemi ndjekur një vizion strategjik, duke kuptuar se siguria nuk njeh kufij. Sot, ne jo vetëm reflektojmë mbi arritjet e deritanishme, por gjithashtu njohim sfidat e reja që kërkojnë përgjigjen tonë të përbashkët.

Dy dekada më vonë, peizazhi gjeopolitik ka ndryshuar, kërcënimet kanë ndryshuar, siç po tregon dhe agresioni brutal i Federatës Ruse në Ukrainë, por dhe ato jo -konvencionale e hibride, kibernetike, terrorizmi dhe krimi transnacional. Prandaj, duke forcuar ndërveprimin tonë, ne rrisim jo vetëm kapacitetet tona të mbrojtjes, por bëjmë gjithashtu që vendet tona të mund t'i përgjigjen me shpejtësi dhe efektivitet çdo kërcënimi.

Lidhjet që ne forcojmë përmes kësaj konference shtrihen përtej fuqisë ushtarake: ato përfshijnë parimet e lirisë siç e përmendi edhe gjenerali, të drejtat e njeriut dhe prosperitetit për popujt tanë. Në këtë kuptim, është e domosdoshme të ndërtojmë dhe avancojmë këto parime, të cilat i kemi ngritur me shumë mund edhe, është shumë e rëndësishme, të mos vetëkënaqemi për sukseset tona, apo aq më keq, të shkojmë në regres.

Në koherencë të plotë me politikën e jashtme të qeverisë shqiptare, vijojmë të kemi në fokus promovimin e fqinjësisë së mirë, pranimit të njërit - tjetrit dhe integrimin e plotë euroatlantik të të gjithë pjesëmarrësve, pranimin e njëri-tjetrit, siç e thashë, sepse është e rëndësishme të mos biem pre e interesave dhe ndërhyrjeve dashakeqëse që mund të na përçajnë dhe të vijnë nga palë të treta të cilat në këndvështrimin e Shqipërisë ndërmarrin veprime destabilizuese dhe dezinformuese ndaj të cilave nuk duhet të biem pre dhe duhet t'u përgjigjemi në një front të përbashkët.

Historia në fakt nuk ka qenë shumë "e dashur" me rajonin tonë, por asesi nuk duhet të mbetemi peng i së shkuarës. Është thelbësore të tejkalohen problemet etnike, kulturore, politike që kanë qenë shpesh burim konfliktesh në të shkuarën. Mësimet duhet t'i kemi nxjerrë, edhe pse shpeshherë, dëgjojmë zëra përçarës, "partnerë të vlerave perëndimore në deklarata, por ithtarë dhe shërbëtorë të dukshëm të luftës hibride të Lindjes", në realitet dhe në praktikë. Këto zëra nxisin grupet ultra-nacionaliste e kriminale dhe vendosin në pikëpyetje shpesh stabilitetin dhe sigurinë e rajonit tonë.

Shqipëria do vijojë të jetë një avokate e palëkundur e bashkëpunimit rajonal dhe, një mori iniciativash rajonale, si Karta e Adriatikut, qëndrojnë në thelb të veprimtarisë tonë dhe të bashkëpunimit ushtarak dhe civil.

Ndërkohëqë po përgatisim dislokimin e një ekipi trajnues të disa vendeve të A5 në misionin e NATO-s në Irak në nëntor të këtij viti dhe, në kuadër të Programit për Zhvillimin e Edukimit në fushën e Mbrojtjes së institucioneve të sigurisë së Irakut, duhet gjithashtu që Karta të qëndrojë besnike e parimeve themelore të saj, përfshirë "Politikën e Dyerve të Hapura". Në këtë kuptim dhe unë i bashkangjitem zërave të kolegëve për të nënvizuar nevojën që Kosova duhet të jetë këtu, në këtë tavolinë; e ka vendin në këtë tavolinë!

Duke ardhur në mbyllje të këtyre përshëndetjeve të para, le të nënvizojmë rëndësinë e angazhimit me partnerët dhe aleatët tanë. Në një botë që ndërlidhet gjithnjë e më shumë, është e domosdoshme të punojmë së bashku dhe të shfrytëzojmë fuqinë kolektive. NATO dhe BE qëndrojnë si forca të pakrahasueshme që shumëfishojnë cilësinë dhe forcën tonë në të ardhmen ndërsa vigjilenca e SHBA është e domosdoshme dhe e pazëvendësueshme dhe, pa të, ky rajon, nuk do ishte ky që është sot.

Ju falënderoj për vëmendjen dhe shpreh mirënjohjen time për angazhimin tuaj ndaj vizionit tonë të përbashkët për një rajon më të sigurt dhe më të qëndrueshëm. Edhe njëherë, për mua, kjo konferencë është më shumë se një takim; është një pohim i partneritetit dhe përkushtimit tonë për të qëndruar së bashku përballë vështirësive të përbashkëta.

Ju faleminderit!