Ministry of Defence - Republic of Albania

06/15/2024 | Press release | Distributed by Public on 06/15/2024 03:25

Ministri Peleshi në takimin e Grupit të Kontaktit për Ukrainën: Vijojmë mbështetjen politike dhe ushtarake

Ministri Peleshi në takimin e Grupit të Kontaktit për Ukrainën: Vijojmë mbështetjen politike dhe ushtarake


e shtunë, 15 qershor 2024 11:18

Fotogaleria

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi mori pjesë në takimin e 23-të të Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës, i cili u zhvillua në Bruksel, nën drejtimin e Sekretarit për Mbrojtjen i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Lloyd J. Austin.

Vendet rikonfirmuan edhe një herë mbështetjen e tyre politike dhe ushtarake ndaj Ukrainës, duke ruajtur qëndrimin unanim kundër agresionit të paligjshëm, të pajustifikuar të Rusisë.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ritheksoi se Shqipëria do të vijojë të mbështesë politikisht Ukrainën. Gjithashtu nuk do të mungojë ndihma në materiale dhe logjistikë, ndërkohë që po hidhen hapa konkretë që ekspertët shqiptarë bashkë me aleatë të tjerë të përfshihen në programe trajnimi për personelin e Forcave të Armatosura të Ukrainës.

Ministri i Mbrojtjes deklaroi gjithashtu se Shqipëria do të vijojë të mbështesë Këshillin Nato-Ukrainë dhe do të respektojë çdo detyrim në kuadër të tij, ashtu si edhe vendet e tjera aleate.

Nga ana e tij, ministri i Mbrojtjes së Ukrainës, Rustem Umerov bëri një përshkrim të hollësishëm të zhvillimeve në terren. Ai falënderoi vendet aleate dhe mike për mbështetjen e jashtëzakonshme për popullin e Ukrainës si dhe përsëriti nevojën për vijimin e ndihmës.