Ministry of Defence - Republic of Albania

07/16/2024 | Press release | Distributed by Public on 07/16/2024 05:34

Përballja me zjarret, Peleshi: Mirënjohje për përkushtimin e paçmuar të çdo efektivi

Përballja me zjarret, Peleshi: Mirënjohje për përkushtimin e paçmuar të çdo efektivi


e martë, 16 korrik 2024 13:25

Përballja me zjarret në këto temperatura të larta dhe terrene të vështira është një nga sfidat e mëdha të Forcave të Armatosura në këta muaj të nxehtë.
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ndau sot dëshminë e kolonel Dritan Durmishaj, i cili është vetëm njëri nga ushtarakët e shumtë që sakrifikojnë çdo ditë në shërbim të vendit dhe qytetarëve.

"Mirënjohje për përkushtimin e paçmuar të çdo efektivi të angazhuar në këtë detyrë, për ndjenjën e përgjegjësisë dhe humanizmit dedikuar mbrojtjes së jetës së qytetarëve tanë, pronës së tyre dhe natyrës së vendit tonë." - u shpreh Peleshi.

Kolonel Durmishaj shpjegoi se çdo mision kërkon përgatitje: "Mbase për ata që janë jashtë aviacionit duket shumë e thjeshtë, por për pilotët dhe teknikët duhet një kohë e caktuar që të përgatiten, të gjendet terreni ku do të fluturojë. Për mjetin ajror, sa më lart të jetë terreni, aq më e vështirë është për të kryer operacionin për shkak të ngarkesës dhe kushteve meteorologjike." - u shpreh ai.


Kolonel Durmishaj flet edhe për misionin e fundit: "Morëm një thirrje nga AKMC për një fshat në Klos, ku një masiv pyjor kishte marrë zjarr dhe për shkak të terrenit shumë të vështirë malor dhe të thepisur kërkohej edhe ndërhyrja e mjeteve ajrore. Me të marrë sinjalin, ekuipazhet u përgatitën dhe filluan detyrën duke ndihmuar forcat zjarrfikëse, të cilat ndodheshin në terren". - tha ai.