Delegation of the European Union to Albania

06/13/2024 | Press release | Distributed by Public on 06/13/2024 10:11

Projektet e financuara nga BE-ja kanë arritur të ndikojnë pozitivisht, por duhet të trajtohen sifdat në zbatim

PRINTO

Projektet e financuara nga BE-ja kanë arritur të ndikojnë pozitivisht, por duhet të trajtohen sifdat në zbatim

Mbahet në Tiranë Komiteti Vjetor i Monitorimit për Zbatimin e Fondeve të Para-Aderimit në BE

Tiranë, 13 qershor 2024 - Ndikimi dhe efikasiteti i fondeve të Bashkimit Evropian (BE) u shqyrtuan dje në Komitetin vjetor të Monitorimit të Instrumentit të Asistencës së Para-Aderimit (IPA), ku morën pjesë përfaqësues nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria e Shqipërisë. Bashkimi Evropian është partneri kryesor politik dhe tregtar i Shqipërisë, si dhe donatori më i madh i saj, duke i ofruar vendit rreth 100 milionë euro në vit në formë grantesh. Që nga viti 2007, BE-ja është angazhuar të sigurojë më shumë se 1.4 miliardë euro për sektorë të ndryshëm, duke përfshirë fushën e sundimit të ligjit dhe të drejtat themelore, demokracinë dhe qeverisjen, transportin dhe energjinë, mjedisin dhe veprimin për klimën, bujqësinë dhe zhvillimin rural, konkurrencën dhe inovacionin, arsimin, punësimin dhe politikat sociale, si dhe bashkëpunimin rajonal.

Mbledhja u drejtua nga znj. Jona Suli, Koordinatore Kombëtare e IPA-s për Shqipërinë, dhe Sigrid Brettel, Ushtruese e Detyrës së Shefes së Njësisë në Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Evropian për Fqinjësinë Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit (DG NEAR). Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të shoqërisë civile dhe komunitetit diplomatik.

Pjesëmarrësit diskutuan mbi gjendjen e përgjithshme të më shumë se 150 projekteve në vazhdim të financuara nga BE-ja në Shqipëri në kuadrin e fondeve të para-anëtarësimit IPA. U theksuan progresi dhe arritjet, së bashku me strategjitë për të përmirësuar efektivitetin, koherencën dhe efiçencën e programeve të BE-së në përgatitjen e Shqipërisë për anëtarësimin në BE, duke siguruar një ndikim të prekshëm tek institucionet dhe qytetarët.

Falë fondeve të BE-së, disa nga arritjet e përzgjedhura për vitin 2023 përfshijnë kompletimin e infrastrukturës për 53 shkolla të modernizuara, rikonstruktimin e siteve të trashëgimisë kulturore dhe disbursimin e një pakete mbështetëse për energjinë prej 72 milionë eurosh në përgjigje të krizës energjetike.

Diskutimet u organizuan rreth Axhendës Kombëtare të Reformës dhe Rritjes së Shqipërisë për periudhën 2024-2027, e cila do të mbështetet nga Plani i Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor. Ky plan, me vlerë 6 miliardë euro, është projektuar me qëllim plotësimin e fondeve IPA, duke synuar përshpejtimin e reformave socio-ekonomike, modernizimin e ekonomisë, avancimin e teknologjisë, dixhitalizimin dhe kalimin drejt një modeleve të gjelbra të zhvillimit, duke forcuar ndërkohë edhe reformat politike dhe shtetin e së drejtës. Axhenda e Reformës dhe Rritjes, e mbështetur nga fondet e BE-së, pritet të fuqizojë rritjen e qëndrueshme, të krijojë vende të reja pune, të përmirësojë mjedisin e biznesit dhe të gjenerojë mundësi të reja për të rinjtë në Shqipëri.

Sfidat e diskutuara përfshinin nevojën për të përshpejtuar investimet në infrastrukturë dhe zbatimin sipas Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor të udhëhequr nga BE-ja (WBIF), për t'u siguruar që administrata publike e Shqipërisë të ketë kapacitetet e nevojshme për zbatimin e programeve shumëvjeçare, për të intensifikuar mbështetjen për programet e përbashkëta me vendet fqinje, të përmirësojë përdorimin nga Shqipëria të Programeve të BE-së si Creative Europe, Erasmus+ dhe Horizon Europe si dhe të garantojë një administrim të shëndoshë financiar të ndihmës së BE-së. U nënvizua rëndësia e komunikimit të përmasës dhe ndikimit të mbështetjes së BE-së për Shqipërinë, duke theksuar nevojën për të intesifikuar komunikimin mbi benefitet e mbështetjes së BE-së për qytetarë shqiptarë. Roli i BE-së, si partneri dhe dontari më i madh i Shqipërisë, duhet të theksohet për programet e rëndësishme si "BE-ja për shkollat" (EU for Schools) ose Plani i Reformës dhe Rritjes.

Në takim u trajtua edhe programi i ardhshëm i ndihmës së BE-së për vitin 2024 e më tej, duke theksuar se Programet e ardhshme do të synojnë të arrijnë një efekt më të fortë transformues në administratën shqiptare, duke maksimizuar ndikimin tek qytetarët.

Informacione të mëtejshme mbi projektet e financuara nga BE-ja në Shqipëri dhe mbi bashkëpunimin BE-Shqipëri mund të gjenden në https://www.eeas.europa.eu/delegations/albania_en.