Ministry of Defence - Republic of Albania

09/17/2024 | Press release | Distributed by Public on 09/17/2024 08:02

Ministri Vengu pret komandantin e Komandës Europiane të SHBA gjeneral Christopher G. Cavoli: Mirënjohje SHBA për mbështetjen në përpjekjet për modernizimin e FA

Ministri Vengu pret komandantin e Komandës Europiane të SHBA gjeneral Christopher G. Cavoli: Mirënjohje SHBA për mbështetjen në përpjekjet për modernizimin e FA


e martë, 17 shtator 2024 14:26

Fotogaleria

Ministri i Mbrojtjes z. Pirro Vengu priti në një takim komandantin Suprem të Forcave Aleate në Evropë, njëherësh komandant i Forcave Amerikane në Europë, gjeneral Christopher G. Cavoli dhe delegacionin e tij.

Gjatë bisedës me ushtarakun e lartë amerikan, ministri Vengu foli për situatën në rajon, mbështetjen e madhe që NATO vijon të japë në Kosovë dhe rrugëtimin e saj euroatlantik, sikundër dhe nevojën që të adresohen njëzëri retorikat destabilizuese dhe influencat dezinformuese të aktorëve të tretë në vendet e rajonit.

Ministri Vengu falënderoi gjeneral Cavolinin për mbështetjen jetike që Shtetet e Bashkuara të Amerikës japin çdo ditë në përpjekjet për modernizimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë si dhe fuqizimin e kapitalit njerëzor.
Gjatë këtij takimi, ministri i Mbrojtjes z. Pirro Vengu rikonfirmoi gjithashtu mbështetjen e Shqipërisë ndaj Ukrainës dhe garantoi se vendi ynë do të vijojë të kontribuojë në këto ditë të vështira për të, si një investim në sigurinë e mbarë kontinentit.

Nga ana e tij, gjeneral Cavoli përshëndeti masat e marra për rivitalizimin e Industrisë Ushtarake në Shqipëri, jo vetëm si një instrument zhvillimi ekonomik, por gjithashtu si një industri që do të përshpejtojë rritjen e kapaciteteve të Shqipërisë në armatim dhe inovacion brenda planeve të Aleancës.



Ecuria e zhvillimit dhe modernizimit të infrastrukturës portuale në Porto Romano zuri një vend të rëndësishëm në këtë takim. Ministri Vengu dhe komandanti i lartë amerikan u ndalëm në detaje të rëndësishme të këtij projekti, si pjesë jetësore e infrastrukturës rajonale të Korridorit VIII, një korridor i dobishëm për sigurinë, lëvizshmërinë ushtarake si dhe zinxhirët e furnizimit të rajonit dhe mbarë Aleancës.

Më herët gjeneral Cavoli u prit me ceremoni nga shefi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura gjeneralmajor Arben Kingji. Gjeneralmajor Kingji e njohu gjeneral Cavolin me disa nga zhvillimet kryesore në Forcat e Armatosura shqiptare, kontributin e vendit tonë në operacionet dhe misionet e drejtuara nga Aleanca, rishikimin e dokumenteve strategjike, përmirësimet ligjore si dhe projektet e modernizimit.