Ministry of Defence - Republic of Albania

11/08/2024 | Press release | Distributed by Public on 11/08/2024 06:36

Hapet pas 32 vjetësh porta e tunelit të fortifikuar të Porto Palermos

Hapet pas 32 vjetësh porta e tunelit të fortifikuar të Porto Palermos


e diel, 11 gusht 2024 08:28

Fotogaleria

Hapet për herë të parë pas 32 vjetësh porta e tunelit të fortifikuar të Porto Palermos.

Ky është hapi i parë i një projekti të Ministrisë së Mbrojtjes për rijetëzimin dhe rehabilitimin e të gjithë kompleksit infrastrukturor në gjirin e Panormës për funksione ushtarake dhe civile. Projekti synon miradministrimin e zonës, e cila ka nisur të jetë një destinacion turistik i privilegjuar, duke respektuar normat mjedisore dhe duke ofruar kushte sa më të larta sigurie lundrimore.

Hapi tjetër do të jetë përshtatja joinvazive e objekteve të kompleksit, që nuk gëzojnë më funksione ushtarake, me qëllim krijimin e një atraksioni turistik të qëndrueshëm.

Projekti synon gjithashtu të rikthejë në gatishmëri teknike këto asete të çmuara të Forcës sonë Detare, të cilat mund të shërbejnë për qëllime stërvitjesh kombëtare dhe ndërkombëtare.
Hapja e tunelit është kryer nën drejtimin e stafit inxhinierik të Batalionit të Xhenios dhe kaloi pa asnjë problem pavarësisht mbi 3 dekadave mosaktivizim.

Tuneli shërbente si një bazë autonome për strehimin dhe kalimin e sigurt të mjeteve detare të marinës ushtarake të kohës, brenda gadishullit të Porto Palermos.
Hapja e portës prej çeliku të këtij tuneli ujor të veshur me betonarme ka vënë për herë të parë në lëvizje pas shumë kohësh mekanizmin e saj.

Ndërtimi tunelit nisi në 1969 dhe zgjati deri në vitin 1988. Ai shërbente për strehimin dhe kalimin e sigurt të mjeteve detare të marinës ushtarake të kohës, duke shërbyer njëkohësisht si një bazë e fuqishme dhe e mbrojtur.