Ministry of Agriculture, Rural Development and Water Management - Republic of Albania

04/07/2024 | Press release | Archived content

Fuqizimi i rolit të grave në bujqësi, hapet inkubatori i ri i agrobiznesit

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO), në bashkëpunim me Bashkinë e Kolonjës dhe UN Women, përuruan inkubatorin e agrobiznesit e drejtuar nga gratë në Leskovik.

Agrobiznesi i quajtur "Duarartat e Leskovikut" do të përdoret për përpunimin e frutave dhe perimeve, përgatitjen e ushqimeve dimërore (zahire), si dhe paketimin e produkteve artizanale nga Shqipëria Juglindore për t'u shpërndarë në tregun vendas dhe rajonal. Zhvillimi i inkubatorit synon të rrisë mirëqenien e grave, të promovojë barazinë gjinore dhe të nxisë zhvillimin e qëndrueshëm rural. Ai u mbështet nga nisma "Fuqizimi i Grave në Zonat Rurale dhe Turizmi", me financim nga Qeveria e Italisë.

Zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Enio Civici, shprehu angazhimin e qeverisë për mbështetjen e investimeve të reja në drejtim të krijimit të pikave të grumbullimit që afrojnë më shumë fermerin me tregun. Duke folur në përurimin e laboratorit të agrobiznesit "Duarartat e Leskovikut", Civici theksoi se ky investim ka si qëllim të kontribuojë në fuqizimin e grave rurale në Shqipëri dhe të forcojë rolet dhe kontributin e tyre në zhvillimin rural në kontekstin e Axhendës së Zhvillimit të Qëndrueshëm 2030.

Përfaqësuesi i Agjencisë Italiane për Bashkëpunim Zhvillimor (AICS), Franco Turri nënvizoi se ky investim synon të ngrejë statusin ekonomik të grave nëpërmjet njohurive dhe teknologjisë inovative.

Përfaqësuesi i UN Women në Shqipëri, Michele Ribotta theksoi rolin vendimtar të inkubatorit në avancimin e fuqizimit ekonomik për gratë rurale, duke synuar të çmontojë barrierat dhe pabarazitë me bazë gjinore që kufizojnë pjesëmarrjen e tyre të plotë në rritjen ekonomike dhe zhvillimin rural.

"Inkubatori i agrobiznesit i udhëhequr nga gratë në Leskovik bashkon kërkimin, njohurinë, teknologjinë, pushtetin vendor dhe grupin e grave për të kërkuar alternativa novatore dhe të ndjeshme ndaj gjinisë për të zhbllokuar potencialin e sektorit bujqësor dhe për ta transformuar atë drejt uljes së varfërisë dhe sigurisë ushqimore", tha Raimund Jehle, përfaqësuesi i FAO-s në Shqipëri .

Inkubatori i agrobiznesit i drejtuar nga gratë u mbështet nga nisma "Fuqizimi i Grave në Zonat Rurale dhe Turizmi" (Gender Rural Equality and Tourism )(GREAT), një projekt trevjeçar i financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimi Ndërkombëtar i Italisë dhe zbatuar nga FAO dhe UN Women në bashkitë Kolonjë dhe Elbasan. Projekti synon të fuqizojë gratë në Shqipërinë rurale, duke forcuar rolet e tyre në zhvillimin rural në përputhje me parimin e Axhendës së Zhvillimit të Qëndrueshëm 2030, për të mos lënë askënd pas.