Delegation of the European Union to Albania

06/12/2024 | Press release | Distributed by Public on 06/12/2024 03:33

FORUMI PËR SHOQËRINË CIVILE I BE-SË PËR BALLKANIN PERËNDIMOR DHE TURQINË 2024

PRINTO

FORUMI PËR SHOQËRINË CIVILE I BE-SË PËR BALLKANIN PERËNDIMOR DHE TURQINË 2024

Beograd, Serbi - Forumi për Shoqërinë Civile i BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë 2024, një aktivitet thelbësor vjetor i organizuar nga projekti BE TACSO 3 në emër të Komisionit Evropian, Drejtoria e Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit (DG NEAR), nisi sot në Beograd, Serbi. Duke mbledhur mbi 150 pjesëmarrës, përfshirë përfaqësues nga shoqëria civile, zyrtarë të BE-së, autoritetet qeveritare dhe partnerët ndërkombëtarë, aktiviteti shërben si një platformë kryesore për shkëmbimin e njohurive dhe zhvillimin e strategjive për të nxitur rritjen e shoqërisë civile në rajon.

Forumi i këtij viti është veçanërisht i rëndësishëm, duke u fokusuar te mundësitë e reja që paraqet Plani i Ri i Rritjes prej 6 miliardë Eurosh i BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe roli i shoqërisë civile në Mekanizmin e Reformës dhe Rritjes.

Një moment kryesor i Forumit është prezantimi i Vlerësimit të Dytë kundrejt Udhëzimeve të DG NEAR për Mbështetjen e BE-së ndaj Shoqërisë Civile në Rajonin e Zgjerimit për vitin 2023 , që ofron një analizë të hollësishme të progresit dhe sfidave të hasura nga shoqëria civile në të gjithë rajonin.

Raporti i Vlerësimit i 2023 tregon progres modest që nga viti 2021, ndonëse thekson se ka ende sfida të mëdha, veçanërisht në mjediset ligjore, transparencën e financimit publik dhe bashkëpunimit mes shoqërisë civile dhe enteve qeveritare.

Më poshtë jepen gjetjet kryesore të raportit:

  • Ndërsa është krijuar një mjedis ligjor që shoqëria civile të kryejë aktivitetet e saj, dhe kornizat ligjore përgjithësisht i mbështesin operacionet e shoqërisë civile, ka pasur një regres shqetësues në fusha të caktuara. Në Bosnje-Hercegovinë dhe në Serbi, përkeqësimi i mjedisit mundësues tregon një situatë sfiduese për aktivitetet e shoqërisë civile.
  • Besimi te transparenca dhe drejtësia në financimin publik ka parë një përmirësim të lehtë nga 12% në vitin 2021 në 15% në vitin 2023. Pavarësisht nga kjo rritje margjinale, përqindja mbetet e ulët, duke treguar mosbesim të konsiderueshëm në lidhje me mënyrën se si fondet publike u jepen organizatave të shoqërisë civile. Kjo sugjeron se mbetet shumë punë për të bërë për rritjen e transparencës së proceseve të financimit.
  • Nuk ka pasur ndonjë ndryshim domethënës në cilësinë e bashkëpunimit ndërmjet shoqërisë civile dhe institucioneve publike, ku disa rajone kanë pësuar rënie, veçanërisht Serbia. Përqindja e OShC-ve që i perceptojnë qëndrimet e zyrtarëve publikë si mbështetëse u ul nga 38% në vitin 2021 në 34% në vitin 2023, duke reflektuar një sfidë të vazhdueshme në nxitjen e marrëdhënieve pozitive qeveri-OSHC.

Forumi u hap zyrtarisht nga Ministri për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave dhe Dialogut Social i Serbisë, z. Tomislav Žigmanov, dhe shefi i Delegacionit të BE-së në Serbi, Shkëlqesia e Tij Emanuele Giaufret. Vërejtjet e tyre theksuan nevojën e vazhdueshme për më shumë mbështetje dhe transparencë, çka është vendimtare për maksimizimin e rolit të shoqërisë civile në zhvillimin demokratik të rajonit.

Ambasadori Giaufret theksoi:

Në rajon ekzistojnë korniza ligjore për mbështetjen e aktiviteteve të shoqërisë civile, megjithatë duhet bërë më shumë për të krijuar një mjedis të favorshëm dhe të sigurt që shoqëria civile të lulëzojë. Nevojitet rritja e transparencës, drejtësisë dhe konkurrueshmërisë në shpërndarjen e fondeve publike, si dhe një dialog i hapur dhe i vazhdueshëm ndërmjet autoriteteve dhe shoqërisë civile për të nxitur gjithëpërfshirjen dhe demokracinë pjesëmarrëse. Organizatat e shoqërisë civile janë thelbësore për të monitoruar dhe promovuar aspektet kyçe të procesit të integrimit në BE, siç janë të drejtat themelore, shteti i së drejtës dhe institucionet demokratike.

MinistriZhigmanov tha:

BE-ja vazhdon të riafirmojë pozicionin e vet si mbështetësi më i madh i shoqërisë civile në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi, duke e manifestuar angazhimin përmes mbështetjes thelbësore financiare dhe strategjike. Gjatë periudhës 2021-2023, vetëm Mekanizmi i Shoqërisë Civile dhe Medias angazhoi mbi 200 milionë Euro, duke nënvizuar përkushtimin e thellë të BE-së për të nxitur demokracitë pjesëmarrëse dhe për të mbështetur procesin e përafrimit me BE-në në gjithë rajonin.

Gjatë tri ditëve të Forumit, pjesëmarrësit do të angazhohen gjithashtu në mënyrë aktive në sesionet World Café për të diskutuar për temat që kanë propozuar, duke nxitur një mjedis dinamik dhe ndërveprues për shkëmbim dhe bashkëpunim.

Për më shumë informacion rreth Forumit për Shoqërinë Civile të BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë 2024, përfshirë një rend dite të hollësishëm dhe sesionet e ardhshme, vizitoni faqen e aktivitetit.

Publiku dhe të gjithë ata që janë të interesuar për të ardhmen e shoqërisë civile në rajonin e zgjerimit të BE-së inkurajohen të lexojnë Vlerësimin e Dytë të plotë kundrejt Udhëzimeve të DG NEAR për Mbështetjen e BE-së ndaj Shoqërisë Civile në Rajonin e Zgjerimit për vitin 2023 në faqen zyrtare të EU TACSO 3 në www.tacso.eu

Rreth EU TACSO 3:

Projekti i Asistencës Teknike për Organizatat e Shoqërisë Civile (TACSO) është një nismë e financuar nga BE-ja që rrit kapacitetet dhe forcon rolin e organizatave të shoqërisë civile (OSHC) në proceset demokratike në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi. Për më shumë informacion, vizitoni www.tacso.eu