BQK - Central Bank of the Republic of Kosovo

06/21/2024 | Press release | Distributed by Public on 06/21/2024 04:02

Guvernatori Ismaili priti në takim anëtarët e B...

21/06/2024

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili me bashkëpunëtorë ka mirëpritur anëtarët e Bordit të Drejtorëve të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Duke përfaqësuar afro 36 vende të konsitituencës, anëtarët e Bordit të BERZH-it po qëndrojnë në Kosovë për t'u informuar mbi zhvillimet ekonomike të vendit dhe vlerësuar ndikimin e projekteve e iniciativave mbështetëse të BERZH-it.

Gjatë takimit, Guvernatori Ismaili ofroi informacione gjithëpërfshirëse mbi gjendjen makroekonomike të vendit, duke theksuar treguesit e rritjes dhe qëndrueshmërisë së sektorit financiar. Ai nënvizoi zhvillimet dhe iniciativat kryesore të ndërmarra nga BQK-ja, duke përfshirë projektet e mbështetura nga BERZH-i. Veçanërisht, Guvernatori Ismaili shprehu vlerësimin për rolin vendimtar të BERZH-it në avancimin e legjislacionit bankar të Republikës së Kosovës, përkatësisht kontributin në kornizën ligjore të rimëkëmbjes dhe përmbylljes.

Gjithashtu, më tej i informoi Bordin e BERZH-it nga Londra për ndryshimet në Strukturën Organizative që kanë përfshirë themelimin e Departamentit të Rimëkëmbjes dhe Përmbylljes në kuadër të BQK-së, me qëllim të rritjes së stabilitetit financiar. U nënvizuan bashkëpunimet e vazhdueshme me BERZH-in në fushat, si rregulloret e qeverisjes korporative, zbatimi i kornizës rregullatore për faktoringun dhe iniciativat për ngritjen e kapaciteteve për personelin e BQK-së për certifikim në tregjet e kapitalit dhe zgjerimin e qasjes në financa.

Më tej Guvernatori Ismaili shtjelloi vizionin strategjik të BQK-së të përcaktuar në planin e saj 5-vjeçar, duke theksuar projektet me rëndësi strategjike për të rritur qëndrueshmërinë e sektorit financiar, avancimin digjital dhe për të nxitur dhe zgjeruar përfshirjen financiare.

Guvernatori Ismaili në emër të BQK-së shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme nga BERZH-i dhe ritheksoi përkushtimin e BQK-së për të mbështetur një mjedis të qëndrueshëm financiar dhe gjithëpërfshirës në Kosovë.