Ministry of Defence - Republic of Albania

09/28/2024 | Press release | Archived content

Ministri Vengu inspekton punimet për ndërtimin e godinës multifunksionale në Repartin e Operacioneve Speciale në Zall-Herr

Ministri Vengu inspekton punimet për ndërtimin e godinës multifunksionale në Repartin e Operacioneve Speciale në Zall-Herr


e shtunë, 28 shtator 2024 10:00

Fotogaleria

Forcat e Repartit të Operacioneve Speciale në Zall-Herr do të kenë shumë shpejt qendrën multifunksionale, punimet për të cilën janë realizuar aktualisht në masën 80%.

Ministri i Mbrojtjes z. Pirro Vengu së bashku me atasheun ushtarak amerikan në Shqipëri, kapiten i rangut II Eric Cote, inspektuan punimet që po kryhen në këtë godinë, ndërtimi i të cilës ka nisur në prill të vitit 2023 dhe pritet të përfundojë sipas planit në qershor të vitit të ardhshëm.



Komandanti i ROS, nënkolonel Ajet Jata tregoi për detajet e këtij projekti. Ata vizituan edhe mjediset e palestrës dhe hambarit të skafeve, të cilat tashmë janë funksionale.

Gjatë inspektimit, ministri i Mbrojtjes z. Pirro Vengu u shpreh se: "Forcat Speciale janë kapacitet kombëtar dhe, pesha e përgjegjësisë është më e madhe për t'u përballur me operacione mjaft specifike. Ju keni patur një historik shumë të mirë nga pikëpamja e certifikimit të personelit sipas standardeve të NATO, madje edhe përtej pritshmërive kalendarike. Ne duhet që, këtë përkushtim të personelit tuaj, ta mbështesim jo vetëm nga pikëpamja e trajtimit në pagë dhe në vështirësi pune, jo vetëm në infrastrukturë, pasi investimet do të vazhdojnë këtu, por edhe sa i përket mjeteve të logjistikës që përdorin".


Reparti Operacioneve Speciale në Zall-Herr, prej disa vitesh i është nënshtruar rikonstruksionit me faza. Godina shumëfunksionale do të ketë një kapacitet për rreth 400 forca speciale. Po ashtu ajo do të ketë edhe një poligon modern për kryerjen e qitjeve me armët e lehta. Në këtë objekt janë parashikuar edhe ambiente, ku efektivët mund të kalojnë kohën e lirë. Kjo godinë do të ketë gjithashtu edhe një sallë të veçantë për komunikimin me NATO.

Reparti i Operacioneve Speciale vazhdon stërvitjet intensive në kuadër të Stërvitjes për vlerësimin kombëtar të "SOLTG", që do të zhvillohet në fillim të muajit tetor 2024.