Ministry of Defence - Republic of Albania

08/23/2024 | Press release | Distributed by Public on 08/23/2024 10:49

Fuqizimi i kapaciteteve ushtarake dhe Mbrojtjes Civile, ministri Vengu takime me përfaqësues diplomatikë të SHBA-së, Hollandës dhe Rumanisë

Fuqizimi i kapaciteteve ushtarake dhe Mbrojtjes Civile, ministri Vengu takime me përfaqësues diplomatikë të SHBA-së, Hollandës dhe Rumanisë


e premte, 23 gusht 2024 18:46

Rritja e kapaciteteve me përdorim të dyfishtë civil dhe ushtarak, fuqizimi i programeve në mbështetje të Mbrojtjes Civile dhe mjekësisë ushtarake si dhe këshillimi nga SHBA në sferën e Mbrojtjes dhe Sigurisë, ishin temat kryesore të takimeve të kësaj jave të ministrit të Mbrojtjes Pirro Vengu me ambasadorin holandez për çështjet kibernetike Ernest Noorman, ambasadorin e Rumanisë Octavian Şerban si edhe atashetë ushtarakë e pesë këshilltarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që janë integruar me kohë të plotë pranë Ministrisë së Mbrojtjes.

Në takimin e posaçëm me këshilltarët ushtarakë amerikanë, fokusi i bisedës ishte plani i veprimit për tremujorin e fundit të 2024, siç janë mirëadministrimi i burimeve njerëzore e një sistem karriere motivuese për ushtarakët, planifikimi buxhetor afatmesëm në përputhje me objektivat e Sigurisë dhe Mbrojtjes dhe planet e modernizimit, qartësimin dhe linjëzimin e politikave të mbrojtjes me përparësitë e Aleancës, fuqizimin e Industrisë Ushtarake dhe rritjen e kapaciteteve në Mbrojtjen Kibernetike.

Në takimin me ambasadorin holandez për çështjet kibernetike Ernest Norman, veç bashkëpunimit dypalësh, në fokus të diskutimit ishte rritja e bashkëpunimit në fushën e Mbrojtjes Civile.

Një tjetër takim të rëndësishëm ministri Vengu zhvilloi me ambasadorin e Rumanisë në Tiranë, Octavian Şerban të cilit i shprehu mirënjohjen për ndihmën që Rumania ofroi gjatë emergjencave të zjarreve në Shqipëri, me dërgimin e dy avionëve ushtarakë, C-27J Spartan dhe C-130 Hercules.