Delegation of the European Union to Albania

09/26/2024 | Press release | Distributed by Public on 09/26/2024 04:05

Fondi Europian i Paqes: Këshilli miraton masën e dytë të ndihmës së BE-së në mbështetje të Ushtrisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut

PRINTO

Fondi Europian i Paqes: Këshilli miraton masën e dytë të ndihmës së BE-së në mbështetje të Ushtrisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut

Këshilli i BE-së ka miratuar masën e ndihmës në kuadër të Fondit Europian të Paqes (EPF) në vlerë prej 13 milionë euro me qëllim të forcimit të kapaciteteve dhe aftësive të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Masa e ndihmës do të forcojë kapacitetet e Maqedonisë së Veriut në lidhje me pjesëmarrjen e saj në operacionet dhe misionet e Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes (CSDP) të BE-së dhe misionet tjera ndërkombëtare.

Vendimi i sotëm ilustron më tej lidhjen në rritje me Maqedoninë e Veriut në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Ai pasqyron përkushtimin e vazhdueshëm të partnerëve për të rritur bashkëpunimin e tyre në këtë fushë të politikave, në harmonizim të plotë të Maqedonisë së Veriut me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së.

EPF-ja do të sigurojë pajisje që nuk janë projektuar për të dhënë forcë vdekjeprurëse, furnizime dhe shërbime të këtij lloji, duke përfshirë trajnimin teknik sipas rastit. Masa e Ndihmës do të përfshijë mbështetje për teknologjitë që lidhen me inteligjencën, mbikëqyrjen dhe zbulimin, luftën elektronike dhe inteligjencën sinjalizuese, logjistikën dhe pajisjet inxhinierike, si dhe sistemet e komunikimit dhe informacionit.

Informata plotësuese dhe hapat e mëtejshëm

Fondi Europian i Paqes u krijua në mars të vitit 2021 për financimin e veprimeve në kuadër të Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisëpër të parandaluar konfliktet, për të ruajtur paqen dhe për të forcuar sigurinë dhe stabilitetin ndërkombëtar. Në veçanti, EPF-ja i lejon BE-së të financojë veprime të dizajnuara për të forcuar kapacitetet e shteteve të treta dhe organizatave rajonale dhe ndërkombëtare në lidhje me çështjet ushtarake dhe të mbrojtjes.