Ministry of Finance and Economy - Republic of Albania

12/12/2024 | Press release | Distributed by Public on 12/13/2024 03:30

Shqipëria rrit kuotën e anëtarësimit në FMN, Ministri Malaj: Bashkëpunimi me FMN, i rëndësishëm për garantimin e stabilitetit makroekonomik

Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, prezantoi në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë projektligjin "Për miratimin e rritjes së kuotës së Republikës së Shqipërisë në Fondin Monetar Ndërkombëtar".
Në fjalën e tij, Ministri Malaj tha se rritja e kuotave të vendit tonë në FMN përbën një hap strategjik në forcimin e pozitës së Shqipërisë pranë këtij institucioni, duke rritur në mënyrë domethënëse kapacitetet e vendit për të patur akses ndaj burimeve që ka ky institucion, në çdo rast të nevojshëm.
Ministri theksoi se bashkëpunimi me Fondin Monetar Ndërkombëtar mbetet thelbësor, veçanërisht në garantimin e stabilitetit makroekonomik dhe në forcimin e kuadrit të politikave monetare e fiskale.
Pas nënshkrimit të rritjes së kapitalit, vendi ynë do të zotërojë kuota pranë Fondit Monetar Ndërkombëtar në nivelin e 209 milionë SDR ose rreth 261 milionë euro.
Projektligji u miratua pas prezantimit të Ministrit dhe diskutimeve të deputetëve.
Fjala e Ministrit të Financave, z. Petrit Malaj:
E nderuar kryetare e Kuvendit,
Të nderuar deputetë,
Të dashur qytetarë,
Sjellim sot para jush projektligjin që parashikon rishikimin e kuotave sa i përket "Bordit të Guvernatorëve të Fondit Monetar Ndërkombëtar", institucion ku Shqipëria është anëtar me të drejta të plota.
Ky projektligj është në funksion të përmbushjeve të detyrimeve që shteti shqiptar ka kundrejt institucioneve financiare ndërkombëtare.
Bashkëpunimi ynë me Fondin Monetar Ndërkombëtar është thelbësor, veçanërisht në garantimin e stabilitetit makroekonomik, si edhe në kuadrin e politikave monetare e fiskale.
Kjo mbështetje bazohet kryesisht si në aspektet e mbikëqyrjes dhe vlerësimit të ecurisë ekonomike, asistencës teknike apo mbështetjes financiare.
Sfidat e njëpasnjëshme që kaluam, si Tërmeti dhe Pandemia, treguan qartazi rëndësinë e të qenit jo vetëm anëtar i këtij institucioni, por edhe të konsolidimit të pozitave të Shqipërisë kundrejt këtij institucioni.
Mbështetja e menjëhershme që iu dha Shqipërisë pati një ndikim në zbutjen e efekteve negative që pësoi ekonomia jonë.
Prandaj, rritja e kuotave të Shqipërisë është një mesazh i fortë dhe i drejtpërdrejtë sa i takon pozicionit në vendimmarrjen e FMN-së. Në kontekstin e pasigurive globale ekonomike, të tensioneve gjeopolitike dhe sfidave të ndryshimit klimatik, forcimi i marrëdhënieve me FMN-në përmes rritjes së kuotave është një investim i duhur në sigurinë financiare dhe stabilitetin makroekonomik.
Më lejoni t'ju njoh në mënyrë më të detajuar sa i takon projektligjit që po paraqesim për miratim.
Republika e Shqipërisë është anëtare në institucione të ndryshme financiare ndërkombëtare dhe vend anëtar me të drejta të plota pranë Fondit Monetar Ndërkombëtar, duke zotëruar kuota në vlerën 139.3 milionë SDR ose rreth 174 milionë euro.
Si çdo vend anëtar pranë këtij organizimi financiar kemi pranuar kushtet dhe rezolutave që adoptohen nga ky institucion.
Në dhjetor të vitit 2023, Bordi Drejtues i Fondit Monetar Ndërkombëtar miratoi Rezolutën 79-1 me objekt "Rishikimin e 16-të të përgjithshëm të kuotave", duke i rritur kuotat e Republikës së Shqipërisë me 69.7 milionë SDR ose 87 milionë Euro.
Kjo rritje do të quhet efektive pas kryerjes së pagesës përkatëse nga ana jonë. Procedura parashikon pagesën e 25% të vlerës, pagesë e cila do të bëhet në SDR ose monedhë tjetër të specifikuar nga Fondi, dhe 75% të shumës në monedhën vendase, me anë të një note premtimi të panegociueshme që nuk mbart interes, e cila mund të thirret për pagesë nga FMN ose jo. Në rritjen e fundit të kuotave në vitin 2012, është kryer e njëjta formë pagese dhe shuma në notë premtimi nuk u thirr për pagesë asnjëherë nga FMN gjatë këtyre viteve.
Banka e Shqipërisë do të kryejë me fondet e saj pagesat përkatëse pranë Fondit Monetar Ndërkombëtar, si rrjedhim nuk parashikohen kosto në buxhetin e shtetit.
Pas nënshkrimit të rritjes së kapitalit vendi ynë do të zotërojë kuota pranë Fondit Monetar Ndërkombëtar në nivelin e 209 milionë SDR ose rreth 261 milionë euro.
Përsa i përket historikut tonë me Fondin Monetar Ndërkombëtar, ky institucion i ka akorduar Shqipërisë dy kredi në mbështetje buxhetore, në vitet 2014 dhe 2020, me shumë totale 434 milionë SDR ose rreth 543 milionë Euro. Të dyja këto kredi janë disbursuar plotësisht dhe janë në fazën e ripagimit, në përputhje të plotë me kushtet kontraktore. Balanca e mbetur e kredive stoku, më 31.10.2024 ishte 100.97 milionë SDR ose rreth 126 milionë Euro, pra vetëm 23% e huave të marra kanë mbetur pa u shlyer ende.
Në përfundim të fjalës sime, dëshiroj të shpreh edhe njëherë bindjen se rritja e kuotave në FMN përbën një hap strategjik në forcimin e pozitës së Shqipërisë pranë këtij institucioni si dhe do të rrisë në mënyrë domethënëse kapacitetet tonë për të patur akses ndaj burimeve që ka ky institucion, në çdo rast të nevojshëm.
Për këto arsye, të nderuar deputetë, ju ftoj që ta votojmë këtë projektligj.
Ju falënderoj.