Ministry of Defence - Republic of Albania

08/08/2024 | Press release | Distributed by Public on 08/09/2024 00:01

Zjarri në Finiq, ministri Vengu ndjek situatën në terren: U shpëtua pasuria kulturore e Parkut Arkeologjik

Zjarri në Finiq, ministri Vengu ndjek situatën në terren: U shpëtua pasuria kulturore e Parkut Arkeologjik


e enjte, 08 gusht 2024 22:15

Ndërhyrja e shpejtë e forcave operacionale, ndihmuar edhe nga efektivë të Forcave të Armatosura dhe helikopteri Cougar nga ajri kanë shmangur dëmet si pasojë e zjarrit të rënë pasditen e sotme në objektet e Parkut Arkeologjik të Finiqit.

Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, shoqëruar edhe nga kryetarët e bashkive Finiq e Delvinë si dhe nga prefekti i Qarkut të Vlorës Kristo Kiço ndoqi nga afër situatën.

Në një komunikim për publikun ministri Vengu tha se që prej mesditës ka pasur një situatë problematike në rrafshin e kodrave që ndan dy bashkitë, por bashkërendimi i forcave të shumta bëri të mundur shuarjen e një pjese të madhe të vatrave: "Jemi përqendruar me 8 mjete zjarrfikëse, 40 trupa zjarrfikëse nga 2 bashkitë si dhe 65 efektivë të Forcave të Armatosura. Kemi pasur ndërhyrje të gjata dhe efiçente nga Forca Ajrore që ka bërë të mundur frenimin e të gjitha vatrave në drejtim të zonave të banuara. Pas tyre, rëndësi kanë marrë zonat ekonomike dhe parku me vlerë kulturore e arkeologjike i Finiqit", - bëri të ditur ministri Vengu.

Sipas ministrit, "u bë e mundur ruajtja dhe mbrojtja e të gjithë pasurisë kulturore në park, pjesa e bazilikës, thesarit të vjetër sikundër edhe amfiteatrit". Ministri i Mbrojtjes shtoi se, kjo do të jetë një natë vigjilence, për të mbajtur situatën nën monitorim të plotë.

Nga ana e tij, prefekti i Vlorës Kristo Kiço tha se Bashkia e Finiqit ka reaguar në mënyrë të menjëhershme. "Zjarri u përhap në mënyrë të rrufeshme. Nuk kemi dëme në banesa dhe njerëz", - theksoi prefekti i Vlorës.

Në këtë operacion janë përfshirë forca të shumta nga strukturat e pushtetit vendor të bashkive Sarandë, Himarë, Gjirokastër, Dropull dhe Konispol, të mbështetura nga efektivët e Forcave të Armatosura dhe helikopteri Cougar