Ministry of Defence - Republic of Albania

11/12/2024 | Press release | Distributed by Public on 11/12/2024 01:47

Projektbuxheti 2025 për Mbrojtjen, ministri Vengu në Komisionin e Sigurisë Kombëtare: Mbështet objektivin për modernizimin e Forcave të Armatosura

Projektbuxheti 2025 për Mbrojtjen, ministri Vengu në Komisionin e Sigurisë Kombëtare: Mbështet objektivin për modernizimin e Forcave të Armatosura


e martë, 12 nëntor 2024 08:44

Ministri i Mbrojtjes z. Pirro Vengu prezantoi në një seancë dëgjimore në Komisionin Parlamentar të Sigurisë Kombëtare projektbuxhetin e vitit 2025 për Mbrojtjen.

Ministri Vengu u shpreh se ky projektbuxhet është më i madhi në historinë e Mbrojtjes në dy dekadat e fundit dhe mbështet objektivin për modernizimin e Forcave të Armatosura, siguron zbatimin e reformave të iniciuara në mënyrë që investimet në Mbrojtje të përkthehen në gatishmëri operacionale, dinjitet të personelit ushtarak, qëndrueshmëri të strukturave të emergjencave civile në territor dhe rritje ekonomike përmes industrializimit.

Sipas ministrit të Mbrojtjes, buxheti synon sigurimin e rritjes ekonomike përmes axhendës së industrisë ushtarake: "Viti 2025 parashikohet të jetë viti i dytë ku plotësohet detyrimi dhe angazhimi përkundrejt NATO-s për të arritur një buxhet mbi vlerën 2% në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto", - tha z. Vengu.
Ministri bëri të ditur se buxheti 2025 për Ministrinë e Mbrojtjes shkon në shifrën e 52,7 miliard lekë.

Duke u ndalur te prioritetet kryesore që adreson ky buxhet, Vengu u shpreh se së pari mbështeten investimet në kapitalin njerëzor, vijimi i modernizimit dhe rritja e gatishmërisë operacionale. Sipas tij, mbi 50% e investimeve janë të dedikuara në rritje kapacitetesh dhe modernizim të flotës dhe armatimit në tokë, ajër dhe det.
"Buxheti siguron vijimësinë e 21 projekteve në zbatim e sipër dhe fillimin e 8 projekteve të reja. Po ashtu, parashikohet vijimësia e 62 projekteve në infrastrukturë si dhe 8 objekte të reja që do i nënshtrohen investimit", - tha ministri Vengu.

Ministri theksoi se parashikohet po ashtu një buxhet i konsiderueshëm përsa i përket trajtimit financiar të efektivëve të FA, nga e cila përfitojnë rritje page 2500 personel të FA, rritje që shkon shpeshherë deri në dyfishim të rrogës.

Po ashtu, ministri i Mbrojtjes Vengu theksoi se 1 miliard lekë në buxhet shkojnë për forcën rezerviste, e cila synohet që deri në vitin 2030 të zërë 1/5 e Forcës së Armatosur aktive.

Një mbështetje nga fondet e këtij buxheti do të kërkohet edhe për Bazën e NATO në Kuçovë si dhe mirëmbajtjen e helikopterëve "Black Hawk".

Ministri Vengu tha se synimi është që përmes Industrisë Ushtarake në vitin 2025 të fillohet gjenerimi i të ardhurave: "Buxheti parashikon ngritjen e kapaciteteve në Mjekës, Gramsh dhe Poliçan. Po ashtu synohet edhe ngritja e Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes", - tha Vengu.

Emergjencat Civile, sipas ministrit Vengu, zënë po ashtu një pjesë të konsiderueshme në buxhet me një rritje prej 300 milion lekësh.

Po ashtu, përmes këtij buxheti, ministri Vengu tha se, sigurohet financim i nevojshëm për trajnimet, edukimin dhe stërvitjet e personelit ushtarak brenda dhe jashtë vendit. Një vend të veçantë zë edhe investimi në Kampusin e ri të Akademisë së Forcave të Armatosura.