11/15/2024 | Press release | Distributed by Public on 11/15/2024 06:11
Përfundon me sukses stërvitja e kërkim - shpëtimit "SAR Response 2024".
Kjo stërvitje u drejtua nga Qendra Kombëtare e Kërkim - Shpëtimit dhe përfshiu, ngjarje/incidente dhe skenarë realë në territorin e vendit, në det, në tokë dhe në ujërat e brendshëm.
Zjarri në bordin e një mjeti detar në Divjakë, rrëzime në terren malor në Llogara, deri tek uljet emergjente të avionëve në rajonin e Kukësit dhe aeroportin e Rinasit, ishin këto aspektet që testuan forcën dhe reagimin e shpejtë të ekipeve të përfshira në këtë stërvitje.
Kryetari i Qendrës Kombëtare të Kërkim - Shpëtimit, kolonel Fiqiri Hoxha, në cilësinë e Drejtuesit të Stërvitjes së përbashkët "SAR Response - 2024" theksoi se qëllimi i stërvitjes ishte bashkëpunimi, koordinimi dhe rritja e aftësive operacionale të të gjitha strukturave që kanë deklaruar kapacitete operacionale SAR në Planin Kombëtar të Kërkim Shpëtimit në Republikën e Shqipërisë, në funksion të përballimit të një operacioni SAR.
Kjo stërvitje ishte një mundësi e shkëlqyer për të vlerësuar dhe përmirësuar bashkëpunimin midis strukturave dhe agjencive që janë të përfshira me kapacitetet e tyre të deklaruara në Planin Kombëtar të Kërkim - Shpëtimit.
Po ashtu kjo stërvitje shërbeu edhe për të testuar Planin Kombëtar Operacional të Kërkim - Shpëtimit, i cili do të publikohet së shpejti me një qasje dhe dimension të ri për koordinimin e veprimtarisë operacionale në fushën e Kërkim - Shpëtimit, për t'iu përgjigjur shpejt dhe efektivisht në çdo emergjencë, duke siguruar mbrojtjen e jetës dhe pasojave të mundshme.