Ministry of Defence - Republic of Albania

10/18/2024 | Press release | Distributed by Public on 10/18/2024 08:58

Takime pune të ministrit të Mbrojtjes, z. Pirro Vengu gjatë punimeve të Ministerialit të Mbrojtjes

Takime pune të ministrit të Mbrojtjes, z. Pirro Vengu gjatë punimeve të Ministerialit të Mbrojtjes


e premte, 18 tetor 2024 16:48

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, gjatë dy ditëve të Ministerialit të Mbrojtjes së ministrave të NATO, zhvilloi ndërveprime dhe takime pune me ministrat e Italisë, Polonisë, Francës, Ukrainës, Suedisë dhe Rumanisë, ku trajtoi një sërë çështjesh që lidhen me proceset e modernizimit, zhvillimin dhe bashkëpunimin në fushën e industrisë ushtarake, kapaciteteve ushtarake, zhvillimet rajonale, si dhe shtimin e aktiviteteve malinje në Ballkanin Perëndimor.

Në bashkëbisedimin me Ministrin e Mbrojtjes së Italisë, z. Crosetto, ai ndau të njëjtën qasje mbi dinamikat rajonale të sigurisë, bashkëpunimin gjithmonë e në rritje mes dy vendeve në fusha si transformimi, modernizimi dhe industria e Mbrojtjes, si dhe ndërveprueshmëria ushtarake dhe angazhimi i përbashkët operacional në Kosovë, Bullgari dhe Letoni.

Në takimin me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Mbrojtjes të Polonisë, z. Kosiniak-Kamysz, u diskutua për rritjen e ndërveprimit të bashkëpunimit ushtarak në fushat e industrisë ushtarake, modernizimit të kapaciteteve të mbrojtjes dhe prokurimeve ushtarake.

Në bashkëbisedimin e ministrit Vengu me ministrin e Mbrojtjes së Francës, z. Lecornu, u diskutua gjithashtu për modernizimin, kapacitetet, industrinë ushtarake, si dhe prokurimet e mbrojtjes. Ministrat ranë dakord të takohen në fillim të muajit nëntor në Paris për të thelluar edhe më tej proceset e bashkëpunimit dypalësh ushtarak.

Në bisedën me ministrin e Mbrojtjes së Ukrainës, Rustem Umerov, z. Vengu e siguroi atë për mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për Ukrainën në rrafshin politik dhe ushtarak, nëpërmjet vazhdimit të dhënies së paketave të asistencës, si dhe gjetjen e mënyrave dhe mjeteve për rivitalizimin e industrisë sonë ushtarake në dobi të nevojave të dy vendeve.

Me ministrin e Suedisë, z. Jonson, ministri Vengu theksoi nevojën e bashkëpunimit për lehtësimin e procedurave të prokurimeve ushtarake që lidhen direkt me plotësimin në kohë të objektivave të kapaciteteve të kërkuara nga Aleanca. Ministrat ranë dakord për gjetjen e rrugëve për intensifikimin e bashkëpunimit në fushën e industrisë ushtarake dhe prokurimeve ushtarake.

Në takimin me ministrin e Rumanisë, z. Tîlvăr, ministri Vengu falënderoi homologun për asistencën e ofruar nga Rumania për përballimin e situatës së emergjencës të krijuar nga zjarret në juglindje të vendit gjatë muajit gusht, si dhe theksoi bashkëpunimin bilateral ushtarak ndërmjet dy vendeve. Shqipëria, në fillim të muajit nëntor, mirëpret iniciativën rajonale të SEDM, ku të dy vendet kontribuojnë në situatën e sigurisë rajonale, e cila përballet gjithashtu me kërcënime hibride nga aktorë të huaj dashakeqës. Të dy ministrat trajtuan edhe praktikat më të mira mbi investimet dhe zhvillimin e kapaciteteve.