Delegation of the European Union to Albania

07/17/2024 | Press release | Distributed by Public on 07/17/2024 09:11

BE-ja siguron mbështetje thelbësore për Maqedoninë e Veriut në luftën kundër zjarreve

PRINTO

BE-ja siguron mbështetje thelbësore për Maqedoninë e Veriut në luftën kundër zjarreve

BE-ja iu përgjigj me shpejtësi kërkesës urgjente të qeverisë së Maqedonisë së Veriut për ndihmë në përpjekjet e saj për të luftuar zjarret e mëdha duke aktivizuar Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së (MMCBE).

Nëpërmjet këtij Mekanizmi dhe falë mbështetjes së vendeve anëtare të BE-së dhe shteteve pjesëmarrëse në MMCBE, BE-ja arriti me shpejtësi të mobilizojë një helikopter nga Serbia, dy helikopterë nga Sllovenia, dy aeroplanë dhe një helikopter nga Turqia, një aeroplan nga flota zjarrfikëse e shpëtimit të BE-së nga Kroacia dhe një aeroplan nga Rumania. Këto njësi mbështetëse tashmë janë të angazhuara në shuarjen e zjarreve.

"BE-ja ka qenë gjithmonë aty për Maqedoninë e Veriut në kohëra sfiduese. Ndihma jonë e shpejtë dhe thelbësore përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së po ofron mbështetje jetike për përpjekjet lokale në luftën kundër zjarreve shkatërruese", tha ambasadori David Geer, ambasador i Bashkimit Europian në Maqedoninë e Veriut.

Kjo nuk është hera e parë që Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të BE-së mobilizohet për të ndihmuar vendin me fatkeqësitë natyrore. Në gusht të vitit 2021, mbështetja e BE-së përmes mekanizmit ishte kritike për shuarjen e zjarreve të mëdha në zonën e Pehçevës dhe Berovës. Në vitin 2015 dhe 2016, u ofrua mbështetje në kohë përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së për të përballuar përmbytjet e rënda që prekën vendin. Mbështetja përmes mekanizmit është ofruar edhe gjatë pandemisë me COVID-19.