Ministry of Defence - Republic of Albania

07/13/2024 | Press release | Distributed by Public on 07/13/2024 06:47

50 vjet nga krijimi, Baza Ajrore e Gjadrit rikthehet në funksion për fluturimin e helikopterëve Black Hawk

50 vjet nga krijimi, Baza Ajrore e Gjadrit rikthehet në funksion për fluturimin e helikopterëve Black Hawk


e shtunë, 13 korrik 2024 12:42

Në 50 - Vjetorin e Krijimit të saj, Baza Ajrore e Gjadrit ka rifilluar funksionimin e saj, duke pritur për herë të parë fluturimin e helikopterit të ri UH-60 Black Hawk në pistën e saj, pjesë e modernizimit të Forcës Ajrore shqiptare.

Gjatë ceremonisë së organizuar për këtë rast, komandanti i Forcës Ajrore, gjeneral brigade Ferdinant Dimo, theksoi rëndësinë historike të kësaj baze: "Kjo datë shënon krijimin e një prej objekteve më të rëndësishme për mbrojtjen e asaj kohe. Në këtë bazë kanë punuar me përkushtim ushtarakë, pilotë dhe teknikë, duke realizuar detyrat e fluturimit dhe duke shërbyer larg familjeve të tyre për mbrojtjen e vendit. Sot, kur konceptet e sigurisë janë zhvilluar, rivitalizimi i bazës do të ofrojë infrastrukturë të re për trajnimet e ekuipazheve fluturuese të helikopterëve dhe për trajnimin bazik të pilotëve të rinj," - u shpreh gjeneral brigade Dimo.

50 vite me parë, dy pilotë nga aeroporti i Rinasit, Haki Jupasi dhe Serafin Shegani, u ulën për herë të parë në pistën e sapondërtuar të Aerodromit të Gjadrit me avionët supersonic MIG-19 dhe MIG-21.
Pas 50 vjetësh, kjo bazë është bërë operative për fluturimin e helikopterëve më të rinj dhe më modernë të Forcës Ajrore.

Në ceremoni morën pjesë edhe personeli trajnues amerikan për helikopterët Black Hawk, duke reflektuar bashkëpunimin ndërkombëtar në zhvillimin e kapaciteteve ajrore të vendit.