BQK - Central Bank of the Republic of Kosovo

06/21/2024 | Press release | Distributed by Public on 06/21/2024 00:35

Zëvendësguvernatori Fusha: BQK-ja po avancon ko...

21/06/2024

[Link]

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) është duke avancuar kornizën ligjore dhe rregullative për pagesat digjitale, ka deklaruar Zëvendësguvernatori për Operacione Bankare, z. Dardan Fusha në forumin "Pagesave digjitale, sjelljet dhe preferencat e konsumatorëve në Kosovë", bashkorganizuar nga Shoqata e Bankave të Kosovës (SHBK) dhe VISA.

Zëvendësguvernatori Fusha në fjalën përshëndetëse theksoi se sektori bankar në Kosovë ka bërë përparim të dukshëm në fushën e pagesave digjitale, megjithatë ka ende shumë mundësi për avancim në këtë drejtim. Modernizimi i infrastrukturës së tregut financiar dhe digjitalizimi i shërbimeve janë një ndër shtyllat kryesore të Strategjisë së re të BQK-së.

"Numri i transaksioneve me kartela, i terminaleve ATM dhe POS, perdorimi i kanaleve digjitale, transaksionet në POS, e-banking dhe sherbimet tjera janë rritur dukshem, si rezultat i mundësive dhe progresit nga sektori, pagesat jo-cash arritën në 35 për kokë banori dhe për herë të parë në vitin 2022, transaksionet e pagesave me POS tejkaluan në numër transaksionet me ATM", theksoi Zëvendësguvernatori Fusha, duke ofruar disa statistika të trendëve dhe ecurisë së këtyre zhvillimeve.

[Link]

"Tregu është hapur për akterë të rinj, duke përfshirë ata të FinTech-ut, në fushën e pagesave dhe emetimit të parave elektronike duke sjellë përfitime dhe më shumë zgjedhje për shërbime për konsumatorët. Këto zhvillime kanë ndikuar edhe në uljen e kostos së remitancave, duke çuar Kosovën nën mesataren rajonale sa i përket kostos së transfereve nga BE-ja", shtoi Zëvendësguvernatori Fusha.

Zëvendësguvernatori për Operacione Bankare ka potencuar se BQK-ja është duke avancuar kornizën ligjore të shërbimit të pagesave dhe se po punohet në zhvillimin e infrastrukturës së tregut për të rritur ndërveprimin, sigurinë dhe efikasitetin e pagesave.

"Ne po avancojmë kuadrin tonë ligjor dhe rregullator për të mbështetur këto zhvillime. Draft-ligji i ri për Shërbimet e Pagesave, i harmonizuar me direktivat e BE-së është një hap vendimtar, duke krijuar një mjedis më konkurrues dhe gjithëpërfshirës. Kjo është në përputhje me qëllimin tonë strategjik për t'u bashkuar me Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA), e cila do të mundësojë që të qasemi në sistemet evropiane të pagesave, përfshirë TIPS. Hyrja në sistemet e BE-së do të lehtësonte tregtinë dhe do të kontribuonte në krijimin e një sistemi efikas, të sigurt dhe më të integruar të pagesave, që do t'i shërbente më mirë nevojave tona për rritje ekonomike", ka potencuar Zëvendësguvernatori Fusha.

Po ashtu, Zëvendësguvernatori Fusha nënvizoi se zhvillimet e reja teknologjike dhe digjitalizimi sjellin edhe rreziqe shtesë, të cilat kërkojnë fuqizimin e kapaciteteve mbikëqyrëse.

"Prandaj, BQK në rolin e saj ka parasysh edhe këto aspekte dhe po ndërmerr disa veprime", u shpreh ai.

"Ritmi i shpejtë i ndryshimit teknologjik sjell edhe rreziqe të reja për sistemet e pagesave. Prandaj, jemi duke punuar vazhdimisht në fuqizimin e mbikëqyrjes së sistemit të pagesave dhe mbrojtjes së konsumatorit. Edukimi financiar i qytetarëve për përdorim të sigurt dhe ofrimi i njohurive rreth rreziqeve të mundshme i fuqizon individët të marrin vendime të duhura, të rrisin besimin e tyre në përdorimin e shërbimeve digjitale dhe i ndihmon ata të njohin dhe shmangin mashtrimet e mundshme", ka përfunduar Zëvendësguvernatori Fusha.

Në panelin e këtij forumi, Zëvendësguvernatori Fusha para pjesëmarrësve shpalosi disa nga veprimet e fundit të ndërmarra nga BQK, që janë në pajtim me rekomandimet e Këshillit Kombëtar të Pagesave të dala nga takimi i janarit 2024, me pjesëmarrje të gjerë të gjitha palëve, përfshirë sektorin privat, atë publik dhe skemat ndërkombëtare të kartelave.