Bank of Albania

06/15/2024 | Press release | Distributed by Public on 06/15/2024 01:30

Çelet ekspozita edukative “MONEY smART – Edukim financiar për të gjithë''

Më datë 13 qershor 2024, Banka e Shqipërisë dhe Banka Botërore, me mbështetjen financiare të SECO, çelën Ekspozitën edukative "MONEY smART - Edukim financiar për të gjithë". Ekspozita do të qëndrojë e hapur në datat 13-28 qershor 2024, në lulishten përpara selisë qendrore nr. 2 të Bankës së Shqipërisë (adresa: Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", nr. 3, Tiranë).

Brenda një peizazhi financiar në zhvillim të shpejtë, ku qasja në shërbimet financiare bëhet më e lehtë, ndërkohë që konsumatorët përballen me rreziqe të reja, kultura financiare është kthyer në një aftësi kyçe jetësore për individët. Edukimi financiar ndihmon në kultivimin e kulturës dhe përfshirjes financiare përmes rritjes së njohurive, aftësive dhe qëndrimeve financiare, duke synuar rritjen e mirëqenies dhe fuqizimin financiar të konsumatorëve.

Ekspozita "MONEY smART - Edukim financiar për të gjithë" është fryti i parë i Strategjisë së Bankës së Shqipërisë për Edukimin dhe Përfshirjen Financiare, e miratuar në fillim të vitit 2024, si dëshmi e angazhimit serioz të Bankës së Shqipërisë në këtë fushë. Në panelet e saj gjeni informacion të larmishëm dhe me fokus konsumatorin mbi çështje financiare të prezantuara thjesht dhe në mënyrë tërheqëse. Një ndër temat e trajtuara janë remitancat, për të cilat diskutohet ndërkombëtarisht çdo 16 qershor, në Ditën Ndërkombëtare të Remitancave Familjare. Remitancat janë një fluks i rëndësishëm kapitali për ekonominë dhe shoqërinë shqiptare. Si të tilla, ato janë një shtysë për rritjen e përfshirjes financiare dhe një mjet për të nxitur potencialin zhvillimor të vendit.

Ceremonia çelëse e kësaj ekspozite mblodhi fëmijë të grumoshave të ndryshme, të cilët mësuan, por edhe u argëtuan në këndet e artit, ku mësues arti i ndihmuan të krijojnë piktura apo skulptura duke përdorur kartëmonedhat e grira të Bankës së Shqipërisë; u bënë pjesë e kuizit interaktiv me çmime; bënë fotografi në kornizën tonë të fotografimit me një hashtag tërheqës, të lidhur me edukimin financiar për të inkurajuar shpërndarjen në media sociale dhe angazhimin virtual të aktivitetit; morën "Fortune Cookies" me thënie të shkurtra të personaliteteve botërore mbi paranë apo financat.

Të pranishmit u përshëndetën nga Zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, zj. Luljeta Minxhozi, dhe nga kryespecialistja e sektorit financiar në Grupin e Bankës Botërore, zj. Oya Ardic. Zëvendësguvernatorja Minxhozi u shpreh se bota e financave ka qenë gjithmonë një fushë e vështirë për t'u kuptuar nga publiku i gjerë, por rritja e produkteve dhe shërbimeve që ofron tregu e kanë kthyer në domosdoshmëri zotërimin e një niveli minimal kulture financiare për një vendimmarrje të informuar e që përfiton nga mundësitë e ofruara e që shmang rreziqet. E ndërgjegjshme për këtë, Banka e Shqipërisë prej vitesh investon në krijimin e një kulture financiare në shoqërinë shqiptare.

Ndërkohë, zj. Ardic e vlerësoi edukimin financiar si gur themeli të një ekonomie të lulëzuar, duke fuqizuar individët të lundrojnë në kompleksitetin e një peizazhi financiar në zhvillim të shpejtë dhe për të shfrytëzuar shërbimet financiare për një mirëqenie afatgjatë. Puna e Bankës Botërore në Shqipëri nëpërmjet Programit të Remitancave dhe Pagesave të financuar nga Sekretariati Zviceran i Çështjeve Ekonomike dhe Projekti i Modernizimit të Pagesave financuar nga Bashkimi Evropian është një dëshmi e këtij vlerësimi. Nëpërmjet reformave strategjike dhe asistencës teknike, ne po krijojmë një mjedis të favorshëm për inovacionin financiar dhe po i hapim rrugë shërbimeve financiare me në qendër klientin, efikase dhe të aksesueshme nga të gjithë.

Ekspozita edukative "MONEY smART - Edukim financiar për të gjithë" do të jetë e hapur deri në datën 28 qershor 2024, prandaj ftojmë të gjithë publikun ta vizitojë për të mësuar më shumë për financat dhe pagesat digjitale.